Kënga “Bonbon” e Era Istrefit është zyrtarisht hiti më i madh shqiptar. Projekti i krijuesit të shumë hiteve, Arbër Gjikolli (i njohur si Big Bang), ka thyer rekordin e deritanishëm dhe vë rekord të ri pas çdo dëgjimi të ri të fansave të shumtë të kësaj kënge.
Hiti i Silva Gunbardhit në bashkëpunim me Mandin dhe Dafin, “ Të ka lali shpirt”, ka qenë deri më tani kënga me më së shumti dëgjime në YouTube.
E publikuar në janar të vitit 2013, videoja e kësaj kënge deri më tani (kur po e publikojmë këtë artikull) është shikuar afro 234.8 milionë herë.
Ndërkaq, hiti i Erës që në fakt është një hit botëror, tash (kur po e publikojmë këtë artikull) numëron 236.7 milionë shikime, njofton Telegrafi.
Theksojmë se “Bonbon” kishte arritur disa dhjetëra miliona shikime në YouTube para se këngëtarja të nënshkruante me Ultra Music. Ndërsa pasi nënshkroi me këtë ‘label’, klipi u largua nga faqja e shpërndarjes së videove dhe numërimi nisi nga zero.
Pra, super-hiti “Bonbon” është ripostuar në YouTube më 7 mars 2016 dhe për nëntë muaj ka arritur këtë shifër marramendëse shikimesh. /Telegrafi/