Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Andi Pajazitit për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse u dënua me dy vite burgim për armëmbajtje pa leje.
Aktgjykimi ndaj Pajazitit u shpall të premten nga gjykatësi Eroll Gashi. Pajaziti ngarkohej për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Gashi tha se i akuzuari Pajaziti lirohet nga pika e parë e dispozitivit të aktakuzës për “Vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, pasi ka rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e Pajzitit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme.
Kurse, u shpall fajtor për armëmbajtje pa leje dhe u dënua me dy vjet burgim. Të njëjtit i ndërpritet masa e paraburgimit.
Dënimi me burgim, të njëjtit do t’i ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Në dënimin e shqiptuar me burgim, të njëjtit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohej për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.
Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.