Telegrafi

Bombë në oborrin e pjesëtarit të FSK-së në Mitrovicën Veriore

Një mjet shpërthyes është gjetur në oborrin e shtëpisë të një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicën e Veriut.

Rasti ka ndodhur mbrëmë në Lagjen e Boshnjakëve.

Lajmin për ‘kallxo’ e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala.

Shala tha se në oborrin e shtëpisë së një pjesëtari të FSK-së është gjetur një mjet shpërthyes.

Sipas Shalës, pjesëtari i FSK-së është i komunitetit boshnjak.

“Mjetin e pashpërthyer e ka shpërthyer Policia e Kosovës dhe Policia po merret me rastin. Nuk ka të lënduar sepse nuk ka eksploduar, ka qenë mjet i pashpërthyer.”, ka thënë Ibrahim Shala.

Muajve të fundit janë shpeshtuar sulmet dhe aksionet e frikësimit të pjesëtarëve të FSK-së, sidomos të atyre të komunitetit serb, në veri të Kosovës.