Policia e Kosovës njoftoi se pasditen e së martës, ndodhën disa incidente në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, derisa zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe.
Policia tha se dyshohet se kishte “shkrepje me armë dhe shpërthime”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nga ana tjetër tha se “grupe të organizuara me disa individë të maskuar” kanë sulmuar zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”, me qëllim që të parandalojnë ata të kryejnë detyrat e tyre zyrtare.
Telegrafi ka siguruar disa foto nga vendi i ngjarjes ku shihet edhe një bombë dore e pashpërthyer.
Policia e Kosovës ka arritur në vendin e shpërthimit në Veri të Mitrovicës, përkatësisht në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor të Veriut të Mitrovicës.
Raportohet nga vendngjarja se një veturë e EULEX-it ka qëndruar aty për disa minuta./Telegrafi/