Telegrafi

“Bomba” në Cineplexx, aktorët rrëfejnë eksperiencën e tyre në filmin me tematikë Luftën e Kosovës

Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj

Mbrëmë (e enjte), në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx Kosova, u dha premierë filmi “Bomba” me regji të James Fetahut.

Në prezencën e shumë aktorëve, filmi me tematikë luftën e Kosovës u shfaq për herë të parë në ekranin e madh për publikun shqiptar.

Të emocionuar, aktorët e kastit rrëfyen për Telegrafin eksperiencën e tyre në filmin “Bomba”.

“Tri vjet punë më në fund po i kurorëzojmë sot. Jemi munduar për mirë edhe definitivisht besoj se do ta pëlqeni. Publiku është shumë i zgjedhur, shumë i mirë, bash janë duke ma dhënë një energji të mirë – secili që po vjen po sjell diçka të mirë me vete. Unë ja kam pasur borxh vendit tim, vazhdoj t’i kem borxh, një pjesë të historisë tonë të mirë, krenare dhe të dhimbshme e keni sot brenda 100 minutave. Ju ftoj ta shikoni edhe të kënaqeni me një copë të së vërtetës tonë edhe të dhimbshme edhe krenare”, tha James Fetahu, regjisori dhe aktori në rolin kryesor të filmit.

James Fetahu, regjisor (Foto: Telegrafi)

E një eksperiencë unike në këtë film duket se ka përjetuar edhe prezantuesja Kadrie Canolli, e cila gjithashtu ka pak rreshta në filmin “Bomba”.

“Unë realisht i kam dy pjesë shumë të shkurtra, por është një ndër rolet kryesore. Jam bashkëshortja e një suhtari të UÇK-së, ai i cili është gjatë gjithë kohës roli kryesor. Ka qenë e vështirë duke e pasur parasysh që kam qenë në mesin e aktorëve më të mirë shqiptarë, në fakt edhe ndjehem shumë krenare që kam pasur rastin me qenë pjesë e këtij filmi”, tha Canolli për Telegrafin.

Kadrie Canolli, aktore (Foto: Telegrafi)

Rremë Thaqi, një tjetër aktor në rolet kyçe të filmit, i the Telegrafit se ka qenë e veçantë rikthimi në kujtesë i ngjarjeve të luftës së fundit në Kosovë.

“Eksperienca ka qenë shumë e mirë edhe ka qenë pak një sakrificë, pasi është dashur të rikujtojmë ngjarjen dhe t’i rikujtojmë të gjitha ato gjëra që kanë ndodhur gjatë luftës”, tha Rremë Thaqi.

Rremë Thaqi, aktor (Foto: Telegrafi)

Edhe aktorja e njohur Shota Baraliu pati fjalë të mëdha për producentin e filmit dhe filmin në përgjithësi.

Ajo tha se nuk është hera e parë që bashkëpunon me Fetahun, pasi është ndarë e kënaqur edhe nga puna me të në të kaluarën.

“Me Jamesin nuk është hera e parë që kam bashkëpunuar, kam bashkëpunuar edhe herëve të tjera. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, një ekip shumë i mirë edhe s’kam dyshim që edhe filmi ka dalë shumë i mirë edhe pse ende s’e kam parë. Kështu që po presim”, tha Shota për Telegrafin.

Shota Baraliu, aktore (Foto: Telegrafi) 

Filmi “Bomba” do të jetë i disponueshëm në kinema për publikun dhe oraret e tij mund t’i gjeni në faqen zyrtare të Cineplexx Kosova. /Telegrafi/