Koreja e Veriut tha se testoi me sukses një bombë termobërthamore, një bombë hidrogjeni e cila shkaktoi një tërmet me 6.3 ballë. Po çfarë është një bombë me hidrogjen? Dhe pse, nëse konfirmohet, ky shpërthim i ri do të ishte veçanërisht shqetësues?
EDHE MË SHKATËRRIMTARE
Bomba me hidrogjen ose Bomba-H është arma më shkatërruese bërthamore e krijuar ndonjëherë nga njeriu.
Në aspektin ushtarak, konsiderohet një evolucion i bombës atomike “të thjeshtë” dhe funksionon me një reaksion të fuzionit termobërthamor, jo shumë ndryshe nga ajo që ndodh brenda Diellit.
Kjo armë është shumë më e fuqishme se bombat atomike që goditën Hiroshimën dhe Nagasakin.
DALLIMI
Një bombë “tradicionale” atomike është e bazuar në procesin e ndarjes në zinxhir të bërthamës atomike të një materiali të zbërthyeshëm (si urani 235 apo plutoni 239), e cila ndodh në mënyrë të pakontrolluar dhe lëshon një sasi të madhe energjie.
NJË FAZË E MËTEJSHME
Në Bombën-H shtohet edhe një fazë: zbërthimi atomik përdoret për të krijuar një shpërthim të parë dhe për të shkaktuar reaksionet e fuzionit bërthamor (më i dhunshëm) që gjenerojnë temperaturat dhe trysni, në gjendje për të transformuar hidrogjenin që përbëhet në një serbator brenda bombës në helium, në një mënyrë të ngjashme me atë që ndodh me Diellin. Prandaj Bomba-H shpesh quhet një bombë atomike “me dy faza”.
KRAHASIMI
Janë pikërisht dy fazat e shpërthimit që e bëjnë edhe më të rrezikshme se një bombë atomike: në qoftë se një pajisje konvencionale bërthamore ka një fuqi shpërthyese prej 15-20 kilotonë, bomba me hidrogjen e testuar më 1 nëntor, 1952 nga amerikanët në ishullin Elugelab, në Paqësor (i ashtuquajturi “Mike Test”), i pati një fuqi prej 11 megaton, 800 herë më shumë se bomba e Hiroshimës, dhe një valë të nxehti që arriti një rreze 56 km. Në fakt, elementi më shkatërrues dhe i rrezikshëm në rastin e një bombe me hidrogjen është shpërthimi, jo rrezatimi.
JO PËR TË GJITHË
Nëse teknologjia për një bombë termonukleare është e njohur – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik dhe Britania e kanë zhvilluar atë në vitet 1960 – pak më pak të ditura dhe më komplekse janë ndërtimi dhe gjetja e hidrogjenit të nevojshëm.
HISTORIA E BOMBËS-H
Në vitet ’50. zhvillimi i bombës atomike nga ana e sovjetikëve u dha krahë fajkonjve në Amerikë për të promovuar një armë edhe më shkatërruese bërthamore: bombën me hidrogjen, ose bombën H.
Avokati i saj ishte fizikani i lindur në Hungari, Eduard Teller, i cili edhe u përpoq të bënte komplot kundër Robert Oppenheimerit, babait të bombës atomike amerikane. Ky i fundit, në fakt, besonte se bomba atomike ishte tashmë një pengesë e mjaftueshme për të dekurajuar çdo sulm ndaj SHBA. Por udhëheqësit ushtarakë dhe politikë të Uashingtonit tashmë kishin vendosur ta “hiqnin qafe”, si pengesë.
Pra, projekti i ri iu besua një grupi të përbërë nga dy fizikantë amerikanë, Richard Garuin dhe Eduard Teller, si dhe një matematikan polak, Stanislav Ulam. “Po të mos kishim punuar ne”, tha Garuin, “shkencëtarët ushtarakë do ta kishin bërë vetë. Dhe gjithçka do të përfundonte në duart e ushtrisë, pa asnjë mundësi kontrolli të jashtëm”.
ISHULLI I SHKATËRRUAR
Më 1 nëntor 1952, Shtetet e Bashkuara kryen testin “Mike”, i cili zhduku plotësisht Elugelabin, një ishull të Paqësorit. Një vit pas u erdhi radha rusëve. Më shumë se armë ishin, në fakt, instrumente të shfarosjes: nëse atomikja e Hiroshimës kishte shkatërruar një qytet dhe vrarë 200,000 njerëz, një mega bombë me 11 megatonë mund të fshijë një metropol me 20 milionë banorë.
SAKHAROV, BABAI I BOMBES-H SOVJETIKE
Ka një histori brenda historisë së bombës me hidrogjen dhe ka të bëjë me një shkencëtar me reputacion, Andrej Sakharov (1921-1989). Kur ishte vetëm 27 vjeç, ai ndodhej tashmë në Arzamas-16, një qytet i fshehtë ku sovjetikët ndërtuan arsenalet e tyre bërthamore. Ai ishte babai i Bombës-H sovjetike, që u zhvillua për të mbrojtur atdheun e tij. Por në vitin 1961, ai ndryshoi mendje.
Së pari planifikoi një test në atmosferë me një bombë prej 100 megaton, pastaj kuptoi se ky test do të shkaktonte një kontaminim radioaktiv dhe përgjysmoi fuqinë e bombës. Në fund, ai nisi të mbrojë të drejtat e njeriut dhe u bë disident: u arrestua, u izolua në Gorkij, i mbikëqyrur nga KGB. Ai fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1975, por nuk mundi ta tërhiqte atë. U lirua në vitin 1986 falë Gorbaçovit. /Bota.al/