Telegrafi

Bolt: Jam më i miri në sportin tim

Vetëm pak ditë përpara çeljes zyrtare të Lojërave Olimpike, Usain Bolt shikon me optimizëm duke shpresuar që shkruajnë një tjetër faqe të lavdishme në librin e më të mëdhenjve të atletikës. Rekordmeni i 100 dhe 200 metrave e ka hedhur pas krahëve dëmtimin muskular dhe tashmë ndihet gati për të zbritur në pistë.

“Ndihem shumë mirë pasi kam punuar shumë gjatë javëve të fundit. Në Rio 2016 do të garoj në kushte perfekte. Kam shumë besim se do të përsëris suksesin e dy olimpiadave të shkuara. Për mua, olimpiada është kulmi i karrierës së një atleti dhe jam shumë i lumtur që do të rikthehem sërish në pistë”.

Ndryshe nga shumë atletë të tjerë që ndihen të frustruar për shkak të virusit Zika, Bolt i ka idetë e qarta dhe nuk preferon të flasë gjatë për këtë temë.

Lexo po ashtu Usian Bolt befason me deklaratën e fundit për Unitedin, ka një kërkesë nga Mourinho

“Unë mezi po pres të zbres në Rio. Nuk jam aspak i shqetësuar për këtë. Jam më i miri në sportin tim dhe duhet të jem aty. Jam shumë i përqendruar te puna që bëj dhe nuk mendoj për asgjë tjetër. Virusi mund të të prekë në Rio në Xhamajkë dhe në çdo vend të botës”.

Në pistë rivalët janë të gjithë të njëjtë për Bolt i cili nuk pranon të bëjë dallime kur pyetet nëse do të jetë Justin Gatlin atleti që mund ta rrezikojë.

“Të gjithë pjesëmarrësit në olimpiadë janë të fortë. Duhet të shikoni se si vrapon Yohan Blake, por edhe Bromell. Besoj se do të jetë një garë interesante. Gjithsesi, nuk besoj se rekordi im në 100 metra do të thyhet për një kohë të gjatë. Unë nuk synoj të jem më i miri, por kërkoj të jem më i madhi i këtij sporti dhe për të qenë i tillë duhet të vazhdoj të fitoj”.