Përfaqësues të Aleancës së të rinjve të Kosovës sot shpërndanë fletushka me shkrimin “Boll vonë në Evropë, po në Leposaviq kur?”.
ARK theksoi se pas lajmit të vonuar për rekomandimin e liberalizimit të vizave bëhet edhe më shqetësues fakti që kemi mundësi lëvizjeje në Evropë, ndërsa nuk mund të shkojmë në zonat veriore të vendit tonë.
“ARK konsideron që zgjidhja e këtij problemi po zvarritet tash e sa kohë si pasojë e pa zotësisë së qeveritarëve, duke dialoguar vazhdimisht me Serbinë pa rezultate, duke bërë marrëveshje të shumta e që nuk u zbatuan asnjëherë. Edhe raportet ndëretnike në veri mbeten në tension si pasojë e sovranitetit të kufizuar. Me mungesë të këmbëngulësisë nga ana e qeverisë për të zgjidhur këtë çështje urgjente, rrisin brengën për një të ardhme me konflikte dhe pasoja të mëdha”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/