Të dashtun burra shqiptarë, ja ku po jua them: të tana gratë e vajzat që keni në shtëpi i përdhunojnë çdo ditë me fjalë, me shikime, me prekje, me trajtime, me veprime. E, në qoftë se i keni ndry, për mos me u ndodhë, domethënë se po i përdhunoni ju vetë.
Pesë vjeçe kam qenë unë, pesë metra larg shtëpisë, rrugës me ble sheqer filip, kur një grup djemsh të vegjël më rrethuen me fjalë e të qeshuna të pista e më traumatizuen. 25 vjet më janë dashtë me e kuptu se unë nuk kisha ba gja.
Sa herë në ditë, në javë, në muej, në vit, në jetë u ndodh grave që keni përreth me u ndeshë me kësosh?
E mandej del në diell trajtimi çnjerëzor i një vajze të vogël, por ju skandalizoheni se një vajzë ka protestu lakuriq?
Si nuk ju dridhet pena kur ia lejoni vedit me u skandalizu se vajzat nuk po protestojnë në rresht për dy, me pankarta me fjalë të edukueme, që nuk po sillen si hyjni edhe në çastin e zorit? Kësaj i thonë, grueja digjet e burri krihet.
Unë, me qenë burrë, nuk më kishte mbajtë dheu kur e di se m’i përdhunojnë gratë që kam përreth çdo ditë, nuk më kishin mbajtë muret e shtëpisë, nuk më kishte mbajtë trupi jem dhe kisha dalë çdo ditë në rrugë me thirrë: boll ma! Nuk e kanë fajin gratë!
Nëse u kruhet, u kruhet për qejfin e vet, jo për qejfin e burrave.
Nëse edukojnë keq, ku kanë me e mësu edukimin e mirë kur i kanë përdhunu tanë jetën?
Nëse protestojnë lakuriq e bajnë pse e kanë kuptu se ju vetëm atë gjuhë kuptoni.
E, ato pak vajza e gra që guxojnë me dalë e me thirrë, ato i kisha mbështetë. E nëse nuk jam aq i guximshëm sa me i mbështetë, të paktën e kisha mbyllë gojën, gratë e vajzat boll po i përdhunojnë megjithatë.
Por, ju vajza e gra, hiç mos u tutni, veç bërtitni, me tesha a pa tesha: boll ma!