Telegrafi

Boksieri Dwight Ritchie humb jetën gjatë stërvitjeve pas një goditjeje fatale në trup

Dwight Ritchie (Foto Cameron Spencer/Getty Images)

Boksieri australian, Dwight Ritchie, ka ndërruar jetë në moshën 27 vjeçare si pasojë e një aksidenti tragjik gjatë stërvitjeve.

Ai ishte duke bërë sparing me Michael Zerefan kur u rrëzua teksa po shkonte drejt këndit të tij, si pasojë e një goditjeje që e kishte marrë në trup, e cila rezultoi fatale.

Ish-kampioni i peshave të mesme te lehta ndodhej në Melbourne për t’u përgatitur për duelin ndaj Tommy Browne, të cilin duhej ta zhvillonte më 6 dhjetor.

Dwight Ritchie (Foto: Mark Kolbe/Getty Images)

Lajmin për vdekjen e boksierit e ka konfirmuar promovuesi i tij, Jake Ellis: “Me pikëllim të madh dhe shokim ju njoftoj se boksieri Dwight Ritchie fatkeqësisht ndërroi jetë sot (e shtunë) duke bërë atë që donte”.

Personalitet nga bota e boksit dhe tifozë të shumtë i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për të shprehur ngushëllime për vdekjen e Dwight Ritchie. /Telegrafi/