Militantët islamikë të Boko Haram kanë publikuar një video të re të nxënëseve të rrëmbyera Chibok duke pretenduar se nuk duan të kthehen te prindërit e tyre.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, të paktën 14 nga vajzat e rrëmbyera – tri prej tyre që bartin foshnje – mund të shihen në video, pothuajse katër vjet pasi u kapën në qytetin verilindor nigerian.
Por përkundër një fushate të përbashkët globale për lirimin e tyre dhe bisedimet mes qeverisë dhe militantëve, vajzat e treguara në regjistrim u zotuan të mos ktheheshin në shtëpi.
Njëri nga studentet thotë: “Ne jemi vajzat Chibok … Me mirësinë e Allahut, ne nuk do të kthehemi tek ju”.
Videoja prej 20 minutash është e para që nga maji i vitit të kaluar kur një grua, duke pretenduar të ishte një nga 219 nxënëset, u pa duke mbajtur një armë dhe gjithashtu duke refuzuar të kthehej tek prindërit e saj.
Gjithsesi, nuk është e qartë se kur apo ku u regjistrua mesazhi i fundit ose nëse ato që u shfaqën në kamera ishin të detyruara.
Por gruaja që fliste, me fytyrë të mbuluar, tha se të gjitha ishin martuar nga kreu i fraksionit Boko Haram, Abubakar Shekau.
“Ne jetojmë në rehati. Ai na siguron gjithçka. Nuk na mungon asgjë”, ka shtuar ajo.
Xhihadistët rrëmbyen 276 studentë nga një shkollë e mesme në shtetin Borno më 14 prill 2014, duke shkaktuar dënime globale.
Pesëdhjetë e nëntë prej tyre arritën të shpëtonin në orët që pasuan.
Gjithsej 107 vajza tani janë zbuluar, shpëtuar ose liruar si pjesë e negociatave qeveritare me grupin e Shtetit Islamik.
Vajzat janë midis mijëra grave, vajzave dhe djemve të rrëmbyer gjatë konfliktit, i cili filloi në vitin 2009 dhe në të cilin janë vrarë të paktën 20,000 njerëz dhe janë zhvendosur më shumë se 2.6 milionë të tjerë. /Telegrafi/