Site icon Telegrafi

Boko Haram merr përgjegjësinë për rrëmbimin e qindra nxënësve në Nigeri

Grupi Boko Haram ka marrë përgjegjësinë për rrëmbimin e qindra nxënësve të një shkolle në Nigerinë veriperëndimore, njoftoi agjencia e lajmeve AFP.

Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, më shumë se 300 nxënës janë zhdukur pasi persona të armatosur me motor sulmuan Shkollën Qeveritare të Shkencës në Kankara të premten vonë dhe angazhuan forcat e sigurisë në një betejë të ashpër me armë, duke detyruar qindra nxënës të largoheshin dhe të fshiheshin në shkurre dhe pyllin përreth.

“Unë jam Abubakar Shekau dhe vëllezërit tanë qëndrojnë pas rrëmbimit në Katsina”, tha udhëheqësi i grupit, në një mesazh zanor të martën.

Një operacion i përbashkët shpëtimi nisi të shtunën nga policia, forca ajrore dhe ushtria e Nigerisë, sipas qeverisë.

Ndërkohë të dielën, prindërit dhe anëtarët e familjes u mblodhën në shkollë, duke u bërë një lutje autoriteteve për të sjellë të sigurt djemtë e zhdukur.

“Nëse nuk është qeveria ajo që do të na ndihmojë, ne nuk kemi fuqi për të shpëtuar fëmijët tanë”, ka thënë për Reuters, Murja Mohammed, djali i së cilës u mor gjithashtu.

Ndryshe, fillimisht për sulmin u fajësuan grupe të armatosura të njohura lokalisht si “banditë”, të cilët janë aktivë në rajonin e paqëndrueshëm ku rrëmbimet për shpërblim janë të zakonshme. /Telegrafi/

Exit mobile version