Site icon Telegrafi

Bojkoti, protesta, diktatura!

Ka disa ditë që Serbia e Vuçiqit është përfshirë në një valë protestash studentore, të pakënaqura me regjimin aktual dhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Demonstratat me moton “Protesta kundër diktaturës”, kanë filluar para Parlamentit serb, duke grumbulluar nëpër rrugë me mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët në shenjë pakënaqësie kanë hedhur vezë e letra tualeti, në drejtim të godinës, si dhe janë demoluar rrethojat e tij.

Ndër parullat e shpeshta të dala nga protestat, janë: “Keni vjedhur zgjedhjet”, “Dilni jashtë”, “Vuçiq peder”, “Të dorëhiqet kryesia e KZR-së” (Komisionit Zgjedhor Republikan), “Të shkarkohet kryetarja e Parlamentit, Maja Gojkoviq”, “Të ndërrohet drejtori i RTS-it (Radio Televizioni i Serbisë), “Vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare” etj.

Po ashtu, në protestat me pankarta, pipëza, balona fluturues, këngë etj., janë vërejtur edhe grafitet e shkruara: “Vdekje Vuçiqit”, “Vdekje Vulinit” (Shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë).

Nga qarqe të ndryshme beogradase, shtohen dilemat se kush fshihet prapa këtyre protestave: shërbimet e huaja, shërbimet e brendshme, Vuk Jeremiqi e opozita, Sorosi dhe “Rosa” (“Patkica”) etj.

Protestat po bëhen gjithnjë më të furishme, duke u zhvilluar edhe në Nish, Zrenjanin, Novi Pazar, Kragujevc, Suboticë, Kralevë, Bor, Leskovc, Vranjë etj. të cilat vëzhgohen nga mbrojtësit e rendit dhe qetësisë, por nuk pengohen në organizimin dhe mbajtjen e tyre.

Pas çdo proteste del porosia “Shihemi nesër”, në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend. Për dallim nga protestat e mëparshme, këto të fundit janë më të organizuara dhe më gjithëpërfshirëse, duke llogaritur edhe te disa prijës të partive opozitare.

Paralajmërimi i Sheshelit se do të jep dorëheqje nga Parti Radikale, për shkak humbjes së thellë në zgjedhjet presidenciale, si duket ka ndërruar mendje dhe me kënaqësi mbështet protestat e studentëve dhe kërkesat e tyre.

Shërbimi i inteligjencës serbo-ruse, për këto trazira në Serbi, fajëson George Sorosin, miliarderin amerikan, “i cili ka ofruar 10 milionë dollarë mercenarëve për të shkaktuar luftë dhe konflikte të përgjakshme, në emër të revolucionit spontan”.

Presidenti i porsazgjedhur i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, protestat i quan “shenjat e para të demokracisë” dhe pajtohet me kërkesën e protestuesve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në korrik të këtij viti, pas atyre të rregullta të zhvilluara një vit më parë.

Kjo mirësi e Vuçiqit vjen nga frika e masovizimit të protestave dhe nga taktika e tij politike, për t’i zbutur ato me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe me ndonjë fizkulturë tjetër në shërbim të korrigjimit të listave zgjedhore, të cilat jo më pak se 800 mijë votues nuk janë më në mesin e të gjallëve, e “shpirtrat e tyre të vdekur” votojnë sikur të ishin gjallë.

Nga ana tjerë, po ky presidenti Vuçiq, del me idenë se është për një lidhje ekonomike mes shtetesh si në kohën e monizmit titist, duke llogaritur edhe Shqipërinë. Tito i vogël i ish-Jugosllavisë së madhe, harron se vetë Serbia i ngjan një Jugosllavie titiste me Vojvodinën, Sanxhakun e Luginën e Preshevës, të cilat janë në rrugë të mbarë për ngritjen e statusit të tyre politik. Me këto ide, Vuçiqi më shumë i shton protestat në rrugë se sa për uljen e tyre.

Mllefi i protestuesve dhe opozitës sa vjen e shtohet me ndërhyrjen e policisë në Fondacionin e Dragica Nikoliqit, bashkëshortes së ish-presidentit Tomislav Nikoliq, duke i pezulluar të gjitha pagesat nga llogaria e fondacionit dhe kontrollimet nëse ato janë transferuar në llogaritë private. Pastaj, me të njëjtin stil sillen edhe ndaj Vuk Jeremiqit, kandidat për president të Serbisë, duke e kërcënuar me 15 vjet burg me arsyetimin se paska të dëmtuara shtetin me gjashtë milionë euro, në bazë të një kontrate për ndërtimin e Ambasadës serbe në Abduxhi të Nigerisë.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndonëse bojkotuan zgjedhjet presidenciale, duke e kuptuar paraprakisht se do të ketë vjedhje të votave, parregullsi në listat zgjedhore, manipulim dhe keqpërdorim të vullnetit të qytetarëve, ata nuk janë hedhur në protestë si hungarezët në Vojvodinë e boshnjakët në Sanxhak. Ata, thjeshtë, janë vënë në pozitat e vëzhguesit edhe pse të parët paralajmëruan për këto anomali zgjedhore, jo pse nuk janë “pro” protestave kundër diktaturës, por ata prej vitesh janë në front për ndryshime pozitive, të cilat asnjëherë nuk i gëzuan për shkak përkatësisë së tyre kombëtare.

Reagime nuk ka as nga institucionet lokale dhe partitë shqiptare, disa prej të cilave u akuzuan nga shefi i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq, se ftuan qytetarët në bojkot të zgjedhjeve presidenciale, a në anën tjetër marrin paga prej Serbisë.

Sido që të jetë, Serbia gjendet në një udhëkryq e ngulfatur nga kolapsi ekonomik dhe e katandisur nga një ngërç politik.

Exit mobile version