Në fundjavë mund të mos zhvillohen ndeshjet e të gjitha ligave që i organizon Federata e Basketbollit të Kosovës. Kjo pasi gjyqtarët e basketbollit kanë vendosur të mërkurën që të bojkotojnë të gjitha aktivitetet e organizuara nga FBK-ja prej së premtes e tutje.
Vendimin për bojkot, pra për të mos gjykuar ndeshjet, e mori Shoqata e Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës (SHGJBK).
Ndërsa, kryetari i FBK-së, Fatmir Gashi, e ka cilësuar këtë akt si të ngutshëm. Ai ka thënë se kërcënimet nuk çojnë askund dhe se gjyqtarët për shqetësimin që kanë pasur është dashur t’i drejtoheshin Komisionit Disiplinor të Federatës, duke depozituar edhe faktet bashkë me ankesën. /Telegrafi/