Site icon Telegrafi

​Bogujevci: Serbia të marrë përgjegjësi për krimet, presioni duhet të bartet tek ata

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci thotë se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Serbinë në mënyrë që kjo e fundit të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur me forcë dhe të marrë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë.

Ajo thotë se kërkesat e Kosovës në dialog janë të qartë duke theksuar se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë është e pamundur pa zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur.

Nënkryetarja e Kuvendit thotë se Serbia nuk po ndërmerr asnjë hap drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me forcë, çka sipas saj, e bënë të vështirë që Kosova te ecë përpara me këtë proces.

“Për mua natyrisht që çështja e personave të pagjetur mbetet kyçe dhe përderisa Serbia nuk ndërmerr asnjë hap në këtë drejtim është goxha e vështirë që të ecim përpara. Por edhe në të njëjtën kohë mendoj që është gabim t’i atribuohen Kosovës kritika që në fakt elementet që nuk mund të shkojmë përpara ndërlidhen direkt me përgjegjësinë e Serbisë dhe duhet t’u bëhet presion më shumë dhe të njëjtën kohë të shikohet tamam si është realiteti, në kuptimin që Serbia në vazhdimësi sulmon Kosovën në forma të ndryshme, e pengon Kosovën për të ecë përpara në forma të ndryshme dhe të njëjtën kohë mundohet ta paraqesë veten si viktimë dhe duhet pa qartë kush është Serbia dhe në fakt çka duhet të bëjë Serbia”, thotë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Bogujevci thotë se pala serbe është ajo që e po e bllokon zbardhjen e kësaj çështjeje dhe thekson se duhet të shtohet presioni mbi Serbinë.

“Vetëm duke e parë këtë elementin e çështjes së personave të pagjetur dhe qasja e Serbisë që ka në atë drejtim është shqetësuese, ende e luan rolin e viktimës, nuk jep asnjë përgjegjësi rreth kësaj, dhe tjetra, po kërkojmë gjëra konkrete, informata ku ne mundemi me ditë çka ka ndodhur me njerëzit tanë.  Kërkesat tona kanë qenë të qarta, mbetët që presioni të bartet te Serbia, që Serbia të marrë përgjegjësi për krimin që e ka bërë por në të njëjtën kohë të hap rrugë që të dimë ku janë njerëzit tanë”, thotë Bogujevci për kp.

Ajo edhe njëherë thekson qëndrimin se nuk mund të ketë marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Ndërsa kur pyetet rreth bojkotit që Lista Serbe i ka bërë kohëve të fundit mbledhjeve të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Bogujevci thotë se deputetët duhet të kuptojnë që janë pjesë e Kuvendit dhe roli i tyre është të përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

“Janë pjesë e Kuvendit të Kosovës dhe duhet të kuptojnë këtë element dhe duhet të respektojnë të njëjtën kohë, mendoj se duhet edhe të respektohet institucioni në të cilin je pjesë dhe përfaqëson. Është çështje goxha e ndjeshme, ndoshta edhe e vështirë në çdo element të komentohet, duhet secili të kuptojë rolin që ka përbrenda Kuvendit dhe këtu jemi në interes të Republikës sonë, nëse ka individ që nuk e shohin në këtë mënyrë, ose nuk e respektojnë, ose nuk janë të interesuar, atëherë unë mendoj që vendin nuk e kanë në Kuvend. Ne jemi këtu për interesat e qytetarëve, për të shtyrë ligje që janë në interes të qytetarëve, jemi për të siguruar vendin tonë, për ta fuqizuar vendin tonë dhe mendoj që fokusi duhet të jetë aty”, vijoi nënkryetarja e Kuvendit.

Ndër të tjera, Bogujevci thotë se Serbia nuk e ka ndalur fushatën kundër Kosovës ani pse në shtator të vitit 2020 në Uashington ishin nënshkruar zotime për të mos e penguar Kosovën në çështjen e njohjeve, derisa Kosova kishte pranuar të pezullojë aplikimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sipas Bogujevcit, moratoriumi njëvjeçar ishte i gabuar dhe se Kosova duhet të përgatitet dhe të lobojë për fuqizimin e pozitës së saj në arenën ndërkombëtare.

“Ai moratorium, në fakt i ka skaduar afati fatmirësisht, mendoj që nuk është dashur të ndodh pikë së pari, por sido që të jetë ka ndodhur dhe sot nuk jemi të kufizuar në atë drejtim por duhet të punojmë shumë, duhet të përgatitemi mirë, duhet të lobojmë shumë, t’i shfrytëzojmë të gjitha resurset që i kemi për ta dëshmuar të njëjtën kohë. Unë shpesh e përmend prej përvojës sime tashmë në disa takime që i kemi pasur në këshill që Kosova nuk është aty vetëm për të kërkuar diçka për vetveten por në fakt kemi kapacitet aq të madh sa edhe për me dhënë. Kemi shumë të rinj e të reja që kanë treguar suksese të mëdha në vende të tjera për shkak të mundësive që ua kanë krijuar, gjithmonë e përmend këtë si dëshmi çka mundemi ne me dhënë në momentin që neve na jepen mundësi për të kontribuar”, deklaroi Bogujevci.

Exit mobile version