Deputetja e LVV-së, Saranda Bogujevci në vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës për Tribunalin e krimeve serbe, ka bërë apel për mediat që të largojnë fotografinë e publikuar sot gjatë ditës të një gruaje e cila shihet duke u dhunuar nga forcat sere.
Bogujevci ka thënë se kjo është kërkesë e familjes.
“Kam një lutje për mediat që ta largojnë fotografinë e publikuar më herët, është kërkesë e familjarëve të cilët janë të shqetësuar”, ka thënë Bogujevci.
Ajo pastaj i është drejtuar edhe deputetët së PDK-së, Flora Brovina e cila ishte ajo që e publikoi fotografinë e gruas së dhunuar, para mediave.
Bogujevci i tha Brovinës se kjo është e padrejtë: “Zonja Brovina më vjen shumë keq por është komplet e padrejtë që është bërë ajo, shihet viktima po thua që është gjallë, paramendo në çfarë traume kalon ajo kur e sheh nëpër krejt media vetën dhe familjen e saj. Kjo i bie të mos trajtohet me dinjitet ai person”, shtoi Bogujevci.
Ajo tha se viktima mundet me u identifikua pas publikimit të asaj fotografie.
“Çka në rast se si pasojë e publikimit të asaj fotografie i ndodh diçka viktimës”, tha Bogujevci. /Telegrafi/