Shoqata e Boshnjakëve ka ngritur padi penale kundër kryetarit të partisë Koncepti Maqedonas, Petar Bogojevski. Mersiha Smailoviç padinë e dorëzoi në Ministrin e Punëve të Brendshme. Pasi doli nga ministria, ajo tha se edhe pas denoncimit në Komitetin e Helsinkit, Bogojevski ka vazhduar postimet me gjuhë të urrejtjes.
“Kemi denoncuar ashtu edhe siç kemi paralajmëruar për gjuhë të urrejtjes. E kam denoncuar për publikimin e parë deri tek Komiteti i Helsinkit, por për shkak se kanë vazhduar postimet e tij në FB, tani do nisim procedurë për shqetësim, sepse postimet e tij janë të vazhdueshme”, deklaroi Mersiha Smailoviç.
“Me postimet e tij në FB vazhdimisht edhe në profilin zyrtar edhe në atë privat i njëjti nxitë urrejtje fetare dhe ndëretnike dhe të pa durueshme. Ai gjithashtu shpërndanë edhe gjuhë të urrejtjes për romët, si dhe pjesëtarët e fesë myslimane, ku këto postime janë kundër themeleve dhe bazës së shtetit tonë”, tha ajo.
Bogojevski reagoi menjëherë. Në profilin e tij në FB theksoi se e gjithë kjo është fushatë kundër partisë së tij për shkak të pikëpamjeve politike.
“Pas një përpjekje të pasuksesshme për të përfshirë shqiptarët dhe romët në atë aksion, tani fokusi është tek myslimanët boshnjakë. Teza se dikush dëshiron të rrezikojë të drejtat e tij civile po detyrohet dhe po krijohet një ndjenjë e rreme e intolerancës, në mënyrë që individët të keqtrajtohen në aktivitetet e asaj qelie kriminale-xhihadiste nga Shkupi!”, shkroi Bogojevski.
Më tej aktivistja Smailoviç tha se ka marr mbështetje nga shumë organizata. Ajo tha se komuniteti boshnjak, por edhe ai rom janë të bashkuar në një koalicion të caktuar, si dy komunitete më të prekura nga gjuha e urrejtjes së Petar Bogojevskit./TV21/