Kompanitë Sikorsky dhe Boeing kanë njoftuar të martën se janë duke zhvilluar aeroplanin e teknologjisë më të fundit – bëhet fjalë për Defiant X.
Dizajni futuristik i helikopterit luftarak, aktualisht është një prej prioriteteve të ushtrisë amerikane. Kompania Lockheed Martin partnere e Sikorsky dhe Boeing, të njëjtën kohë ka lëshuar një kumtesë pothuajse identike, transmeton Telegrafi.
Dizajni Defiant X është i bazuar në SB-1 Defiant, por që ka një teknologji shumë më të avancuar. Në qershor SB-1 kishte regjistruar shpejtësinë më të madhe prej 300 kilometrave në orë, shumë më e madhe sesa shpejtësia e një helikopteri të zakonshëm.
E sipas pilotit testues SB-1, ky helikopter përdor më pak se 50 për qind të fuqisë së motorit për të arritur këtë shpejtësi, që tregon se një version më i madh sigurisht se do ta arrinte shpejtësinë larg më të madhe.
SB-1 ka një përparësi në raport me helikopterin legjendar Black Hawk. Edhe pse në përshkrim thuhet se ka tiparet e njëjta me ato të Black Hawk, SB-1 ushtron një shpejtësi më të madhe dhe rrezen e qitjes e ka më të gjerë, e falë rotorëve të avancuar është edhe më i manovrueshëm.
Inxhinierët e SB-1 gjithashtu kanë bërë vlerësimin e aftësive të SB-1, që të fluturojë shumë ulët me shpejtësi të madhe duke i ndihmuar të shmang radarët e armikut kur futet në territorin e armikut.
Edhe pse Defiant X dhe fluturakja e saj amë SB-1 ndajnë ngjashmëri të mëdha vizuele, zyrtarë të Boeing dhe Lockheed Martin, kanë njoftuar se Defiant X ka një aerodinamikë të përmirësuar dhe ka të zvogëluar ngarkesën termale.
Helika e fundit e helikopterit i ofron shpejtësinë maksimale Defiantit, dhe mund të ketë përparësi të mëdha në fushëbetejë dhe në mbrojtjen e këmbësorisë.
Helikopteri është i pajisur me topa 155 mm dhe sasia e madhe e municionit, nuk e pengon të jetë shumë i manovrueshëm dhe të jetë pothuajse i paarritshëm për armikun.
Kujtojmë që Sikorsky dhe Boeing kanë ndërtuar 90 për qind të të gjitha llojeve të helikopterëve për ushtrinë amerikane. E helikopteri më i ri përdor motorin Will V-22 Osprey. /Telegrafi/