Telegrafi

Boçvarski dhe Rustemi: Na duhet një model i ri për ndërtimin e rrugëve

Modeli që aktualisht po përdoret në ndërtimin e rrugëve nuk jep rezultatet e dëshiruara dhe i zgjat afatet përfundimtare, këtë e theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, i cili foli në ditën e dytë të Konferencës së Parë për Infrastrukturën Rrugore të zhvilluar në Ohër.

Në panelin e titulluar “Koncepti i ri për ndërtim efikas” folën ministri Boçvarski dhe drejtori i Punëve Publike të Rrugëve Publike, Ejup Rustemi, Josh Baker, përfaqësues i kompanisë “Bechtel”, Xhanberk Atila, përfaqësues i kompanisë “Enka” dhe Miho Janevski nënkryetar i Shoqatës për Ndërtimtari pranë Odës Ekonomike.

Ministri Boçvarski theksoi përfitimet nga prezantimi i konceptit të ri të ndërtimit të infrastrukturës në korridoret 8 dhe 10-D dhe theksoi se nevoja për një model të ri është përgjigje për zhvillimin e sektorit të ndërtimit, infrastrukturës dhe zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të shtetit.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemi iu referua sfidave me të cilat ballafaqohet Ndërmarrja Publike gjatë ndërtimit të infrastrukturës rrugore në vend, duke theksuar se ky është momenti për të ndryshuar konceptin e ndërtimit në mënyrë që rrugët të ndërtohen më shpejt dhe në mënyrë më efikase./Telegrafi/