Muharrem Bobaj, ish-burgosur politik, ka rrëfyer për tri arrestimet e tij nga UDB-ja pas vitit 1980 dhe për torturat që ka përjetuar
Në emisionin “Debat Plus”, Bobaj ka treguar se arrestimi i tij ka qenë në vitin 1981 në Prizren dhe se u mor tri ditë në pyetje e që nuk pati dhunë fizike por vetëm psikike.
“Në vitin 1981 trokasin në derë të oborrit dal, ishin dy policë, në atë kohë nuk i njihja. Njëri serb, emrin Zoran e tjetri polic shqiptar (emri MEJDI). Vendosa me ja u tregu emrin e vllaut, por për fat të keq, njëri i mahallës erdhi në oborr i cili ishte rojtar i fushës dhe më tha a qenke ardh o Muharrem a (më thirri në emër). Pastaj policët më morën. Tu shku rrugës nuk janë sjellë keq, ai shqiptari më tha a ke frikë, i thash jo. Deri sa më dërguan në Prizren u sollën mirë. Në vitin 1981 nuk kisha tortura fizike por psikike”, ka deklaruar Bobaj.
Arrestimi i dytë i tij ndodhi në fund të muajit gusht në vitin 1983 në prani të babait.
Bobaj rrëfen se si policët që e kanë marrë i thanë “juve të Korishit duhet me ja u hëngër mishin me dhëmbë” dhe aty filloi dhuna fizike.
“Isha me qerre të kuajve, me babën, kur kam hy në Prizren ka kalu kerri i policisë afër nesh, kanë shiku, janë pak metra, kanë dalë nga kerri dhe kanë thanë duhet me ardh me neve. Nuk kam rezistu pasi u tutsha po i sjellin babës. Gjatë rrugës smë kanë pyet asgjë. Më than juve të Korishit duhet me ja u hongër mishin me dhëmbë, pastaj ka fillu një dhunë sikur një top që e lidhin, një dhunë deri në alivanosje. Ka ardhë një ekip pastaj më thanë jemi nga Gjakova, më kanë marrë zvarrë më kanë qu në Gjykatë, më kanë dënuar me të holla si “Prishje të rendit publik”. Kam qenë i shkatërruar i gjithi, vetëm dajak më kanë dhënë. Gjykata më dënoi me të holla”, ka vijuar rrëfimin Bobaj.
Arrestimi për herë të tretë për Bobajn ishte në janar të vitit 1985.
Atë së bashku me vëllaun e tij, sipas Bobajt 15 policë të cilët i bastisën shtëpinë i morën dhe i dërguan në Prizren.
Ai tregoi se në ditën e parë u mor në pyetje nga UDB-ashët shqiptarë, Daut Morina, Astrit Koshi edhe Sahit Zogaj.
“Më ka marrë ditën e parë në pyetje në ora 11:00 Daut Morina, Astrit Koshi edhe Sahit Zogaj. Deri në 7-8 kam pas torturë psikike, pastaj vazhdoi dhuna fizike. Më 8 janar kisha shpërndarë afishe që më kishte ardhë nga Zvicra, kisha shpërndarë në tri fshatra natën, më pyesnin për shkrimin e parullave, atë vit ka pas mbi 208 parulla “Kosova Republikë”, na nuk i kishim shkruar të gjitha, ata e kërkonin shkrimin e parë. Ata të tretë kanë përdorur dhunë fizike, Daut Morina e udhëhiqte atë natë”, ka deklaruar Bobaj.
Për tre ditë u mor në pyetje nga të njëjtit, ndërsa në ditën e katërt ai thotë se erdhi edhe Vesel Krasniqi, të cilin Bobaj e cilëson si një ndër “UDB-ashët më të egër”.
“Vjen Vesel Krasniqi dhe ishte e vështirë të i përballoje dhunës. Veseli më merr në të katërtën ditë në pyetje, më pyesnin për një qytet afër Stuttgartit, lypshin kush vjen nga një odë aty, më thoshin kam dëshmitarë. Vendosa mos me hapë gojën, vjen një djalë i gjatë aty. Ishte udbash, e sjellën edhe atë, i thotë Veseli a pe njeh këtë, ai i thotë po, Muharrem Bobaj. Dëshmitari i tha mos më thirrni për kësi punësh.. e Veseli më tha prej fyerjeve më të rënda. Deri në gjak kanë shajtë, se le më anëtarë të familjes. (Çka hamomi po don, çfarë dëshmitari dhe mu vërsul sikur bisha. Isha i shkatërruar, mas 3 dite më morën prapë në pyetje”, vijon rrëfimin ndër të tjerash Bobaj.
Bobaj tregon se personi që iu paraqit si kinse dëshmitar ishte UDB-ash, Xhemali Shasivari.
Nga Shasivari, Bobaj rrëfen se u dhunua në mënyrë psikike e fizike për 70 ditë rresht.
“Mu kishte prezantuar si dëshmitar. Xhemali Shasivari nuk ka lënë gjë pa më fyer, ka vazhdu 70 ditë, kur isha më mirë, u shtojke dhuna fizike, kur isha më keq u shtojke dhuna psikike. Ai udhëheqke më bënte dhunë fizike e psikike ndërkohë edhe ata ishin prezentë. Astrit Koshi, Daut Morina, Sahit Zogaj”, thotë Bobaj.
E nga të gjithë, Bobaj thotë se, Vesel Krasniqi ishte UDB-ashi që ia shkatërroi jetën pasi nga ana e tij thotë se kishte vetëm fyerje e dhunë fizike.
“Veseli më ka shkatërruar jetën, ka qenë njeriu më i prishtë, me fyerje e dhunë fizike. Më thoshte O Muharrem Bobaj qit Kosovën që pe don Republikë, Republikën e nanës e babës, juve Korishën duhet me ju rrethu në tel, O Muharrem Bobaj ta mrriftë ymri në vitin 2000 në atë kodrën çka të bajsh me dorë ka me kon e jotja, kom me ta q* nanën ty e familjes s’keni me jetu kerkush”, ka rrëfyer Bobaj./RTV Dukagjini/