Telegrafi

Boateng nën hetime se ia kishte shqyer veshin Kasia Lenhardtit, një vit para se të vetëvritej – ai është nën akuza edhe për sulm fizik ndaj nënës së vajzave të tij

(Foto: Instagram/Twitter/BavarianTweets)

Prokurorët gjermanë janë duke e hetuar Jerome Boatengun për dyshimin se ia kishte shqyer veshin të dashurës së tij, Kasia Lenhardt, pak më shumë se një vit para vdekjes së saj.

Rasti kundër futbollistit për herë të parë ishte inicuar në vitin 2019, ndërsa tash është rihapur nga prokurorët, pas informacioneve të reja që janë mbledhur nga policia e Berlinit që kishin hetuar vetëvrasjen e saj.

Boateng është akuzuar se qëllimisht e kishte lënduar modelen gjermane në tetor të vitit 2019, me të cilën ishte ndarë këtë vit, vetëm disa javë para vetëvrasjes së saj. Autoritetet kishin nisur hetimet menjëherë, mirëpo rasti ishte sistemuar gjashtë muaj më pas, sepse asokohe Lenhardt nuk ka dashur të vazhdojë procesi.

(Foto: Instagram/kasia_lenhardt)

Por, më 10 shkurt të këtij viti, është rihapur çështja kundër 32-vjeçarit, sepse – sipas MailOnline – janë grumbulluar informacione të reja që mund të nxisin rihapjen e rastit. Derisa Bild raporton se asokohe Boateng ia kishte shqyer veshin të dashurës tashmë të ndjerë.

Lexo po ashtu Gjendet e vdekur ish- e dashura e futbollistit Jerome Boateng, Kasia Lenhardt

Lojtari i Bayern Munichut, po ashtu akuzohet për dhunë në një rast të ndarë, ku ka qenë e përfshirë ish-e dashura tjetër, Sherin Senler – por rasti ka mbetur në pritje për shkak të pandemisë së coronavirusit. Në atë rast, futbollisti akuzohet të ketë shkaktuar lëndime të rrezikshme trupore ndaj saj.

(Foto: Twitter/BavarianTweets)

Senler është nëna e dy fëmijëve të Boateng – vajzave binjake Soley dhe Lamia, të lindura në vitin 2011. Lidhja e tyre kishte nisur në vitin 2007 dhe kishte përfunduar në vitin 2018.

Menjëherë pas, lojtari nisi lidhjen me modelen xhamajkane, Rebecca Silvera, kurse më vonë u lidh me Kasia Lenhardt, e cila ishte bërë e njohur si pjesëmarrëse në spektaklin gjerman të modeleve, Next Top Model (ku në vitin 2012 zuri vendin e katërt).

Lidhja e tyre përfundoi me ashpërsi këtë vit që pasoi me vdekjen tragjike të Lenhardt, e cila bëri vetëvrasje më 9 shkurt në apartamentin e saj në Berlin. /Telegrafi/