Site icon Telegrafi

BNJVL kërkon që Qeveria e RMV-së t’u përgjigjet kërkesave nga komunat për tejkalim të krizës energjetike

Sfidat me të cilat po përballen komunat, shkaktuar nga kriza aktuale energjetike ishte temë kryesore në mbledhjen e sotme të pestë të Këshillit drejtues të Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL).

“Këshilli drejtues i BNJVL-së sot solli konkludim që t’i japë Qeverisë afat prej shtatë ditëve t’u përgjigjet kërkesave dhe propozimeve të parashtruara nga BNJVL lidhur me këto sfida, në të kundërtën do të konstatojë hapa të mëtutjeshëm më seriozë”, kumtoi BNJVL.

BNJVL që në shkurt kërkoi takim urgjent me Qeverinë, me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe me përfaqësues të resorëve të cilët janë drejtpërdrejtë të lidhur me përballjen me pasojat nga kriza energjetike, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për problemet e qytetarëve në nivel lokal.

Kryetarët e komunave, siç ceket, tashmë një periudhë më të gjatë alarmojnë për rritje të shumëfishtë të faturave të energjisë elektrike, ndërsa në disa komuna edhe për mbi 500 për qind në raport me ato para fillimit të krizës.

“Këshilli drejtues i BNJVL-së kërkon reagim me kohë të Qeverisë për tejkalimin e kësaj situate, posaçërisht me kompetencat e bartura për të cilat Qeveria duhet t’i përmbushë obligimet e veta, ndërsa nëse kjo nuk ndodhë sa më parë, do të sillet në pikëpyetje funksionimi në nivel lokal”, qëndron në kumtesë.

Këshilli drejtues i BNJVL-së diskutoi edhe për sfidat që i kanë shumica e komunave me Agjencinë për kadastër të patundshmërive, posaçërisht në grumbullimin e të dhënave të përditësuara për pagesë të tatimit.

Exit mobile version