Qeveria e Turqisë nuk ka arritur ta bindë Shërbimin Gjerman të Zbulimit (BND), se pas përpjekjes së dështuar të vitit të kaluar për grushtshtet ushtarak në Turqi, qëndron lëvizja e Fethullah Gylenit.
Drejtori i BND-së, Bruno Kahl ka thënë për “Der Spiegel”, se nuk ka dëshmi që ish imami turk dhe predikuesi, i cili jeton në mërgim në SHBA, Fethullah Gylen, ta ketë organizuar grushtshtet e dështuar ushtarak.
Për tentim grushtshtetin e ndodhur në korrik të vitit të kaluar, ku ushtria u përpoq të merrte pushtetin nga Presidenti Erdogan dhe qeveria turke, shteti turk e ka bërë përgjegjës Lëvizjen Feto, ndërsa ka kërkuar nga SHBA-të që ta ekstradojë Fethullah Gylenin, si të dyshuar kryesor.
Po ashtu janë arrestuar dhjetëra gjeneralë dhe shumë oficerë të tjerë të lartë të ushtrisë turke, ndërsa janë arrestuar dhjetëra-mijëra ushtarë, policë, zyrtarë të administratës dhe të dyshuar të tjerë.