Site icon Telegrafi

Blushi: Reforma në drejtësi ka një çmim, shfarosjen e klasës politike

Deputeti i PS, Ben Blushi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte miratuar pa pranine e opozites shtyrja e reformes territoriale deri ne 31 korrik.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, në fjalën e mbajtur sot në Kuvend deklaroi se ky institucion e ka humbur legjitimitetin dhe klasa politike është pranë shfarosjes si pasojë e reformës në drejtësi.

“Nga kjo ditë ky Parlament ka humbur legjitimitetin dhe sovranitetin që ka. Fatmirësisht ajo që po ndodh është se të huajit dhe ndërkombëtarët s’po na lenë vetëm. Kjo reformë ka një çmim, çmimi është çmontimi i këtij Parlamenti, çmimi është ndëshkimi i kësaj klase politike, shfarosjes së kësaj klase politike. Jemi shumë pranë shfarosjes që shqiptarët nuk e bënë dot me votë në 25 vjet. Shqipëria do të jetë më mirë kur ne të ikim. Pyetja është, a është ky çmim i merituar? Shqiptarët në fund fare kanë shpresë dhe besim se klasa e tyre politike do të ndëshkohet pasi ka qëndruar për shumë kohë duke sabotuar reformën drejtësi. Reforma në drejtësi mund t’u japë besim njerëzve se prona s’do vidhet, deti nuk do falet, stadiumi s’do jetë me majuc, dhe jeta në Shqipëri do të jetë pak me e drejtë”, tha Blushi.

Deputeti socialist theksoi se nëse ndërkombëtarët marrin në dorë drejtësinë ka shpresë se politika “Esadiste” do të shterojë.

“Reforma në drejtësi mund të shërbejë për të shmangur shpopullimin e popullsisë. Nëse miqtë ndërkombëtar do të marrin në dorë drejtësinë ka shpresë që politika sadiste dhe ‘Esadiste’ të shterojë. Politika me këmbëngulje në 25 vjet ka ecur në rrugën Esad Toptanit, kundër interesit kombëtar dhe publik. Të jesh ‘Esadist’ do të thotë të jesh kundër Shqipërisë. Por Esad Toptani nuk ikte nëse ndërkombëtarët nuk përfshiheshin. Ambasadorët vijnë në grupet tona parlamentare për të na bindur të bëjmë drejtësi. Kjo është një ditë në të cilën provohet që Parlamenti i Shqipërisë s’ka fuqi të bëjë atë që duhet. Sot ne po tallemi dy herë, një herë nga ndërkombëtarët dhe një herë nga shqiptarët, të cilët kanë të drejtë të besojnë se ky Parlament e ka konsumuar kohën e vet. Grupet tona parlamentare sot duhet të skuqen, dhe unë s’do të doja të isha pjesë e këtyre grupeve. Të huajt po i heqin të drejtën politikanëve për të emëruar gjyqtarë dhe prokurorë. Koha e ‘Esadistëve’ ka përfunduar”, mbylli fjalën e tij Blushi. /Telegrafi/

Exit mobile version