Emra të njohur që kanë kontribuar në Partinë Socialiste nuk ishin pjesë e kandidatëve për Asamblenë Kombëtare të kësaj force politike.
Figura të vjetra si Ndre Legisi, Maqo Lakrori, Ilir Zela, Et’hem Ruka, Petrit Ago, Luan Hajdaraga, Mezan Malaj, Suzana Hakrama, një pjesë e të cilëve njihen si pjesë e “grupit Blushi” për shkak të kundërshtisë së hapur që shprehën ndaj shkeljes së Statutit në parti, nuk ishin pjesë e listës që u votua në Kongresin e së Shtunës.
Për Ben Blushin, kryesocialisti Edi Rama ka nxjerrë nga partia personalitete me peshë, dhe ka marrë në krah “mbetjet e PD”, siç ai vlerëson në mesin e anëtarëve të rinj të Asamblesë.
Në listën e fituesve në Elbasan ra në sy edhe emri i Hektor Çiftes, i cili u bë i njohur në aktivitetin e anëtarësimeve të reja në parti ku Ben Blushi u fishkëllye nga turma.
Blushi ka këtë koment për Çiften: “Ky Çifjtja është si pastë dhëmbësh, e futën në Asamble, pasi më kërcënoi mua.. Rama merr të gjitha mbetjet e PD i fut në parti”, u shpreh deputeti i PS në “Top Story.
Ai ia përmendi me ironi mbiemrin duke i thënë “qiftja”.
Blushi veçoi edhe rastin e Bukurosh Stafës, i cili votoi për Sali Berishë në 2007, por ai sot është futur në Asamblenë e PS. “Ky është standardi i Rilindjes” deklaroi Ben Blushi.