Telegrafi

Blushi: Ligji i mbetjeve nuk kalon, mazhoranca nuk i ka 71 vota në Parlament

Dy partitë në pushtet, PS dhe LSI nuk e kontrollojnë më parlamentin. Ato nuk i kanë 71 vota. Kështu thotë Ben Blushi i cili deklaron se “dekreti i Presidentit që rrëzon ligjin e importit të mbetjeve nuk vjen as nesër në parlament siç ishte parashikuar”.

Sipas tij, Rilindja dhe LSI-ja duan ta shtyjnë sepse nuk kanë votat.

“Po negociojnë disa vende pune derisa të bëhen 71 vota në Kuvend”, shkruan ai.

Blushi shprehet: “U kisha thënë miqve ambientalistë të mos kenë shpresë tek ata që premtuan se do ta rrëzojnë ligjin. Çfarë partie! Kanë shumë frikë ta votojnë, kanë po aq frikë ta rrëzojnë. Rilindja ka frikë nga kazanët, LSI ka frikë nga Rilindja. Në fakt kanë frikë nga e njëjta gjë. Megjithatë edhe kaq është një fitore e vogël: ligj për importin e mbetjeve nuk ka! Ose më saktë importi i mbetjeve lejohet, pa ligj, vetëm në një pjesë të territorit të vendit: në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë!”. /Telegrafi/