Telegrafi

Blushi flet për referendumi i PS-së, Blushi: Rezultati do të vendoset në tavolinë

Deputeti socialist Ben Blushi, është shprehur shumë kritik për referendumin që do mbahet me 19 prill.

Në një reagim për median, ai ka theksuar se në asnjë vend të botë nuk bëhet referendum për njerëzit, por për çështje.

“Ky Kongres me imponim për fat të keq, i ka hequr Partisë Socialiste të drejtën e votës. Të gjithë ata që kanë votuar për tu hequr njerëzve të drejtën e votës, kam bindjen se kanë një llogari të pambyllur me historinë. Nuk mund të votosh për t’i hequr një partie të drejtën e votës. Kjo ka ndodhur. Sa i takon referendumit, pyesni ata që kërkuan se pse nuk po bëjnë fushatë. Si ka mundësi të kërkosh referendum dhe të mos bësh fushatë?”, thotë Blushi.

Ai ka sqaruar mbështetjen e vogël në Kongres, ku kërkesa për referendum mori vetëm tre vota kundër.

“Çështja këtu është që nuk është votuar. E di kush është thelbi i gjithë këtij debati? Në Partinë Socialiste nuk është votuar, dhe asnjëri nuk e di se sa vota janë për secilën palë.”, shprehet Blushi.

Blushi është mjaft skeptik për standardet e referendumit, pasi e quan të trukuar.

“Nuk ka njeri në botë që kërkon referendum, nga Anglia e në vende të tjera ku bëhen referendum, ku ai që kërkon referendum nuk bën fushatë. E dini pse nuk bën fushatë? Sepse ky ka për të qenë një rezultat i trukuar. Rezultat që do të shkruhet në tavolinë, kjo është çështja. Palës që është kundër referendumit, nuk po i njihet asnjë e drejtë. Nuk dihet kush do të votojë, kush është lista e zgjedhësve, ka fushatë, nuk ka fushatë? Fushatë nuk lejohet, ju e keni parë. Nuk ka mbi të gjitha vëzhgim në këtë proces, pra është një proces krejtësisht i trukuar që është vështirë ta njohësh”, përfundon deputeti socialist.