Është thuajse dyshja më interesante në skenën muzikore shqiptare. Projektet që ata sjellin gjithmonë lënë vend për t’u komentuar, pasi dinë të jenë klasik, e nganjëherë prekin edhe ekstremet.
Shumë e komentuar ishte kënga e re që Blunt dhe Real1 sollën. Me një tekst më eksplicit dhe një videoklip më ndryshe se ç’jemi mësuar t’i shohim, ishte projekti me titull “Rambo”, raporton KTV.
Ndonëse nga pamjet pakkujt do t’ia kishte marrë mendja, videoklipi është xhiruar në një nga vendet e Shqipërisë.
“Klipi është xhiruar në Shkodër ose më mirë me thënë në Brazilin e Shkodrës se ashtu quhet lagjja! Ne e kemi xhiruar njëherë një klip aty me Majkun, klipin ‘Bang bang’, po aty se kemi nxjerrë vendin ashtu siç duhet! Tash erdh koha prapë edhe rastësisht më erdh ajo ide me shku prapë atje. Edhe kënga edhe vendi janë unikë!”, është shprehur Blunt për KTV-në.
Sipas Bluntit, ky projekt është dedikim për realitetin aktual shqiptar, derisa puna për xhirimin e videoklipit, sipas tij, ka qenë shumë e lehtë.
“S’ka qenë hiç vështirë me punu me ata njerëz se na sa kemi mbërri aty krejt na kanë njoftë prej herës së kaluar edhe na kanë pritur tepër mirë! Klipi dhe sidomos kënga i dedikohen realitetit shqiptar anembanë. Dëgjoje tekstin edhe e sheh realitetin shumë qartë,” ka shtuar ai.
Përveç kësaj, Blunt dhe Real 1 menjëherë kanë nisur punën për projektin e radhës. Duke premtuar një numër të madh këngësh, ata kanë bërë të ditur se ka mbetur vetëm edhe shumë pak kohë para publikimit të projektit të radhës.
“Priten edhe shumë e shumë hite! Jemi duke punuar vazhdimisht kështu që i radhës do të vijë shumë shpejt”, ka përfunduar Blunti.
Në anën tjetër, dyshja këtyre ditëve është duke lëvizur nëpër vende të ndryshme shqipfolëse me mbrëmje muzikore.