Site icon Telegrafi

Bloomberg do të shpenzojë 100 milionë dollarë për të ndihmuar Bidenin të mundë Trumpin në Florida

Ish-kryebashkiaku i New York-ut dhe ish-kandidati për të nominuarin presidencial demokrat Mike Bloomberg do të shpenzojë të paktën 100 milionë dollarë për të mbështetur Joe Biden në Florida.

“Votimi fillon më 24 shtator në Florida, kështu që nevoja për të injektuar shpejt kapital të vërtetë në atë shtet është një nevojë urgjente”, tha këshilltari i Bloomberg, Kevin Sheekey për Washington Post, përcjell Telegrafi.

“Mike beson se duke investuar në Florida do të lejojë që burimet e fushatës dhe burimet e tjera Demokratike të përdoren në shtete të tjera, në veçanti Pensilvania”.

Në fillim të kësaj jave, para një tubimi në Karolinën e Veriut, një shtet tjetër “i lëkundur”, Trump u tha gazetarëve se mund të shpenzonte paratë e tij në fushatën e tij.

“Nëse më duhet, do ta bëj”, tha Trump. “Çfarëdo që të duhet, ne duhet të fitojmë”.

Florida ofron 29 vota të kolegjit elektoral, jetike në një garë të ngushtë dhe asnjë Republikan nuk ka fituar Shtëpinë e Bardhë pa të që nga viti 1924, shkruan The Guardian.

George W Bush, presidenti i fundit me dy-mandate republikan, fitoi Floridan kundër Al Gore në vitin 2000 pas rinumërimeve të shumta dhe me ndërhyrjen e gjykatës supreme të SHBA-së.

Në vitin 2016, Trump mundi Hillary Clinton në Florida me 1.2%. Të dhënat janë përsëri të afërta, mesataret e sondazheve e vendosin Biden përpara, por jo shumë më tepër.

Po sipas The Guardian, Bloomberg synon të inkurajojë votimin e hershëm, për të kundërshtuar pretendimet e pabazuara të Trump se votimi i tillë është i prekshëm nga mashtrimi dhe frika se presidenti mund të përdorë ndonjë pasiguri mbi rezultatin në ditën e zgjedhjeve për të provuar të mbajë pushtetin. /Telegrafi/

Exit mobile version