Site icon Telegrafi

Bllokohet në procedurë parlamentare Ligji i ri për Lojërat e Fatit

Dështon edhe një tentativë për ligj të ri për lojërat e fatit. Propozimi i fundit i dorëzuar nga deputetët e Frontit Evropian, i cili parashihte që të largohen tërësisht nga hapësirat publike bizneset e lojërave të fatit dhe të zhvendosen në hotele të profilit më të lartë, nuk kaloi, pasi Kuvendi solli konkluzion se, nuk është i pranueshëm dhe nuk mund të jepet për procedurë të mëtejme. Pavarësisht kësaj, partitë politike shqiptare fajësojnë njëra tjetrën si shkaktare e dështimit të ligjit. Blerim Bexheti nga BDI akuzoi zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti se, bashkëpunon me lobin e bizneseve të lojërave të fatit dhe për këtë arsye nuk kaloi ligji për largimin e tyre.

“Tash janë në aleancë me lobin e kazioneve, në aleancë me dëmtimin e familjeve shqiptare dhe gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë shtet, vetëm e vetëm të mos mbyllen dhe nuk kemi asnjë arsyetim se pse, po tentojnë të manipulojnë me opinionin, gjoja se një interpretim autentik e kështu me radhë. Të gjithë qytetarët janë dëshmitarë se, kazinot dhe këto objektet që merren, bastoret, të gjitha funksionojnë siç kanë funksionuar”, tha Blerim Bexheti nga Fronti Europian.

Ndërkaq, deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, tha se, është paradoksal fakti që deputetët e Frontit Evropian edhe pse propozuesit e kësaj iniciative nuk ishin në sallë që ta mbrojnë atë.

“Tani kemi një iniciativë tjetër nga deputetët e njëjtë që përsëri kjo pikë e rendit të ditës të futet në Parlament mirëpo, edhe aty nuk mori dritë jeshile në komision. Ne përsëri, në parim jemi dhe do ta përkrahim këtë iniciativë që vjen nga çdo deputet, qoftë i Frontit Evropian qoftë i joni ose i ndonjë grupi tjetër parlamentar. Kërkojmë zgjidhje permanente për problemin që e ka kapluar shoqërinë tonë”, tha Saranda Imeri nga VLEN.

Me këtë propozim ligj, parashihte që lokalet afariste për organizimin e lojërave të fatit të jenë ekskluzivisht në hotele me 5* të kategorizuara. Po ashtu, parashihte mbështetje financiare dhe përfitime për komunat dhe me të njëjtat parashihet që organizuesit e lojërave të fatit për çdo shfaqje të emrit, reklama, shpallje dhe konkurse në vende publike si dhe për emërtimin e lokalit afarist paguan shumën shtesë prej 100 euro në kundërvlerë në denarë për çdo m2 të sipërfaqes ku gjendet elementi reklamues./Shenja/

 

 

Exit mobile version