Site icon Telegrafi

Bllokimi i F-35, temë kryesore – Erdogan dhe Biden pritet të takohen në Glasgow

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha të mërkurën se çështjet në lidhje me programin e avionëve luftarakë F-35 do të jenë tema kryesore në takimin e tij të ardhshëm me presidentin amerikan Joe Biden.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Erdogan tha se takimi, i cili do të ishte i dyti i dy liderëve që kur Biden u zgjodh president, do të mbahet në Glasgow në margjinat e konferencës së OKB-së për klimën (COP26), e cila do të fillojë më 31 tetor.

Turqia, një prodhues dhe blerës i F-35-ve, u përjashtua nga programi vitin e kaluar për shkak të blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore S-400 në vitin 2019.

Ajo thotë se heqja e saj është e padrejtë dhe ka kërkuar rimbursim për investimin e saj prej 1.4 miliard dollarësh në program.

Ndërkohë Erdogan ka thënë se Uashingtoni i ka ofruar Ankarasë një paketë avionësh F-16 dhe komplete modernizimi në këmbim të pagesës.

“Informacioni që morëm është se ekziston një lloj plani pagese me ta”, u citua t’u kishte thënë Erdogan gazetarëve në lidhje me F-16.

Erdogan shtoi se ai do të kishte një shans për të konfirmuar drejtpërdrejt nëse Uashingtoni ishte i gatshëm të kthente paratë përmes dërgesave të F-16.

“Nëse kjo është e vërtetë apo jo, ne do ta zbulojmë prej tyre. Do të jetë mirë që unë ta diskutoj këtë me zotin Biden në nivelin më të lartë. Nëse po, ne do të shkojmë për një marrëveshje në këtë drejtim”. /Telegrafi/

Exit mobile version