Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), njofton se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masa të reciprocitetit për çështjen e mosnjohjes reciproke të certifikatave të ADR-së mes Republikës së Kosovës dhe të Serbisë mbetet në fuqi, deri në arritjen e një marrëveshjeje për njohjen reciproke me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Me këtë rast, ju bëjmë me dije se spekulimet e përhapura në mediat serbe gjatë ditës se djeshme se Qeveria e Kosovës gjoja ka tërhequr masat e reciprocitetit të vendosura me 21 mars 2016, për mosnjohjen e certifikatës së ADR-së për automjetet dhe për shoferët, të lëshuara nga autoritetet Serbe për transportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë, janë të pavërteta”, shkruan ministra e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami në profilin e saj në Facebook.
Qeveria e Kosovës sipas saj, është e gatshme për zgjidhjen e problemeve bilaterale përmes dialogut. “I bëjmë thirrje edhe njëherë autoriteteve të Serbisë që të reflektojnë ndaj kësaj situate duke arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave përkatëse të ADR-së, me ç‘rast do të eliminohej kjo barrierë e panevojshme tregtare dhe të mundësohej qarkullimi i lirë dhe i papenguar i mallrave dhe njerëzve”.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës, shkruna Telegrafi, për vendosjen e masave të reciprocitetit është marrë pasi që kompanitë e Kosovës nga 28 gusht 2015, nuk kanë mundur të importojnë derivate të naftës dhe gaz, për shkak se autoritetet e Serbisë kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-së si dhe nuk kanë qenë të gatshëm për arritjen e një marrëveshje për njohje reciproke të certifikatave të ADR-së në kuadër të Dialogut të Brukselit për të cilën është biseduar për më shumë se shtatë muaj, që bie në kundërshtim me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-s. /Telegrafi/