Telegrafi

Bllokada me Serbinë të tejkalohet me dialog

Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, ka thënë se mundësia e reciprocitetit ndaj mallrave serbe ka qenë temë e diskutimeve në mes të këtij misioni dhe Qeverisë së Kosovës. “Përfaqësuesit e EULEX-it janë takuar me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, ku në mes të tjerash është diskutuar edhe kjo çështje”, ka thënë Krasniqi.

Por Krasniqi, që përcjellë qëndrimet e EULEX-it, nuk ka dhënë përgjigjen në pyetjen nëse ky mision do të respektonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për bllokimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia. “EULEX-i shpreson që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë ai, shkruan Koha Ditore.

Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe e Industrisë, ka paralajmëruar mundësinë që EULEX-it të mos e zbatojë vendimin eventual për reciprocitet ndaj Serbisë. “Kur ne flasim për aplikimin e plotë të reciprocitetit, nënkuptohet që kjo të bëhet në të gjitha pikat ku Doganat e Kosovës kanë kontroll të plotë. Sa i përket EULEX-it, ne kemi pasur bisedime me ta dhe kemi kërkuar bashkëpunim”, është shprehur Kusari –Lila.

Drejtori i organizatës ÇOHU, Avni Zogiani, ka thënë se EULEX-i nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet. “Nuk ka befasi. EULEX-i nuk e pranon Kosovën si shtet dhe nuk e zbaton Kushtetutën e Kosovës. Sigurisht që nuk konsideron që Kosova ka mundësi të përfaqësohet në çfarëdo subjektiviteti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Është non-sens me prit që EULEX-it të zbatojë çfarëdo vendimi të Qeverisë që ka të bëjë me marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka thënë ai. Për Zogianin, mosshtrirja e autoritetit në pjesën veriore, gjegjësisht pikës 1 dhe 31 dhe paralajmërimet për reciprocitet janë deklarata që bien ndesh njëra me tjetrën.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në mesin e muajit korrik do të bllokohet importi i mallrave që kanë origjinë nga Serbia, në rast se nuk arrihet marrëveshja për tregti të lirë në mes të dy shteteve. ”Nëse gjatë raundit të ardhshëm të bisedimeve (në korrik) Serbia s’e ndryshon vendimin e saj për t’i njohur vulat e Doganave të Kosovës, Kosova do të vendosë masa të plota reciprociteti për produktet me origjinë nga Serbia. Ne nuk do të presim një afat tjetër, pasi mund të ndodhë që Serbia të tërhiqet apo të mos ketë bisedime siç bëri në këtë muaj, por çdo gjë do të përmbyllet në muajin korrik në momentin që të caktohet kjo datë e bisedimeve”, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, duke shtuar se do të bllokohet edhe qarkullimi transit i mallrave që vijnë nga Serbia. /Telegrafi/