Telegrafi

Blinkeni zhvillon bisedë telefonike me Lavrovin – i kërkon lirimin e dy amerikanëve të arrestuar

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken zhvilloi të premten një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe i bëri presion Kremlinit të pranojë ‘propozimin thelbësor’ që Washingtoni ka paraqitur për të siguruar lirimin e dy amerikanëve të arrestuar në Rusi.

Kjo ishte biseda e tyre e parë e tillë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt, transmeton Telegrafi.

“Ne patëm një bisedë të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Departamentin e Shtetit.

“Unë i bëra presion Kremlinit të pranojë propozimin thelbësor që ne bëmë për lirimin e Paul Whelan dhe Brittney Griner”, tha ai.

Diskutimi i tyre erdhi pasi një burim i njohur me procedurat tha se Rusia u përpoq të shtonte të dënuarin për vrasje Vadim Krasikov në shkëmbimin e propozuar. Zyrtarët amerikanë nuk e panë seriozisht idenë pasi Krasikov është në paraburgim gjerman, ndër të tjerave arsye, tha burimi, duke konfirmuar një raport të CNN.

Ndërsa nuk u fut në detaje, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë ofertën.

“Mbajtja peng e dy amerikanëve të arrestuar gabimisht për lirimin e një vrasësi rus në paraburgim të një vendi të tretë nuk është një kundër-ofertë serioze. Është një përpjekje me keqbesim për të shmangur marrëveshjen në tryezë që Rusia duhet të marrë”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se telefonata zgjati rreth 25 minuta dhe ishte “pa polemika dhe ishte për çështje biznesi”. /Telegrafi/