Liderët serbë dhe kosovarë do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, gjë që do të sjellë siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.
Kështu ka thënë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke uruar Serbinë për Ditën e shtetësisë, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), dua të uroj popullin e Serbisë për Ditën e Shtetësisë”, tha Blinken, sipas një deklarate nga Departamenti i Shtetit.
“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Udhëheqësit serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për të arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jetë i madh”, citohet të ketë thënë më tej Blinken.
Blinken theksoi se SHBA-ja vlerëson partneritetin strategjik që ka me Serbinë me synimin për një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, si dhe se SHBA mbështet fuqishëm ambiciet evropiane të Serbisë.
Veç këtyre, Blinken i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër “luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale” të Rusisë. /Telegrafi/