Site icon Telegrafi

Blinken i shqetësuar për rrezikun e veprimeve të Dodikut në Bosnjë, reagon Zulfaj: E qartë që Vuçiq dëshiron diçka të tillë në Kosovë e Mal të Zi

Këshilltari i Kryeministrit, Jeton Zulfaj, ka reaguar në lidhje me një deklaratë që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dhënë rreth rrezikut të veprimeve të Millorad Dodikut për stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës.

“Dje Blinken foli për rrezikun e veprimeve të Dodikut për stabilitetin e Bosnjës, ndërsa Vuçiq mbajti një tubim duke u ankuar për pozicionin e serbëve në Mal të Zi dhe Kosovë dhe se sa krenar është për pozicionin e serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë. Dodik ishte ndër folësit kryesor në këtë tubim. Është e qartë se Vuçiq dëshiron një Republikë Serbe si në Kosovë ashtu edhe në Mal të Zi.

Ndryshe, rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti, po ashtu, tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Marrëveshja bazë është arritur në shkurt, por zbatimi i saj lë për të dëshiruar.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut./Telegrafi/

 

Exit mobile version