Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Financave të SHBA-së kanë vendosur sanksione ndaj këtyre akterëve për shkak të aktiviteteve korruptive dhe destabilizuese.
Në listën e Departamentit të Thesarit janë ish-deputeti Aqif Rakipi dhe pronari i mediave, Ylli Ndroqi.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët si Mbretëria e Bashkuar mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, shkroi Blinken në Twitter.
Today the @StateDept and @USTreasury took action to designate actors in the Western Balkans for destabilizing and corrupt activities. The U.S. and partners like the UK are holding accountable those who threaten the region's stability, progress, and European integration.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) April 11, 2022
Në vendimin e Departamentit të Thesarit për Aqif Rakipin thuhet se “është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”.
Gjersa për Ylli Ndroqin thuhet se “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.
Kujtojmë se sanksione i janë vendosur edhe ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, ish-presidentit të shtetit të përbashkët Serbi-Mali i Zi, Svetozar Maroviqit dhe ish-shefit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit të Maqedonisë, Sasho Mijalkov.
Ndryshe, më 8 dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit kishte sanksionuar shtatë serbë nga Kosova për përfshirje në aktivitete të krimit të organizuar dhe korrupsionit – Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq, si dhe Radulle Steviq. /Telegrafi/