Site icon Telegrafi

Blinken: ‘Nuk ka afat’ për evakuimet në Afganistan

Qeveria e Shteteve të Bashkuara u zotua se do të vazhdojë përpjekjet për të nxjerrë nga Kabuli shtetasit amerikanë, ata që janë banorë të përhershëm të SHBA-së (mbajtësit e kartave jeshile), aleatët dhe afganë të tjerë në rrezik edhe nëse kjo do të nënkuptonte tejkalim të afatit për largimin e forcave amerikane nga Afganistani, që është fundi i këtij muaji.

Nuk ka “asnjë afat për të evakuuar amerikanët dhe afganët që duan të largohen pas 31 gushtit”, tha të mërkurën Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

“Ata nuk do të harrohen”, theksoi zoti Blinken ndërsa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

“Siç thashë, ne do të përdorim çdo mjet ndihmës, që kemi në dispozicion, diplomatik apo ekonomik, për të ushtruar presion mbi talebanët në mënyrë që ata të lejojnë njerëzit të largohen nga vendi”.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se rreth 1500 amerikanë presin ende të evakuohen nga Afganistani, një shifër që sugjeron se kjo pjesë e operacionit ajror, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, mund të përfundojë para afatit të vendosur nga presidentit Joe Biden për largimin e plotë të trupave nga ky vend, që është 31 gushti.

Ndërkohë me mijëra afganë në rrezik po hasin vështirësi të hyjnë në aeroportin e Kabulit.

Blinken tha se Departamenti i Shtetit vlerëson se që prej fillimit të operacioneve të evakuimit më 14 gusht, ishin rreth 6,000 amerikanë që donin të largoheshin nga Afganistani dhe se deri tani rreth 4.500 prej tyre janë evakuuar.

Shifra prej 6,000 vetash është vlerësimi i parë publik nga Departamenti i Shtetit lidhur me numrin e amerikanëve që kanë kërkuar të largohen nga vendi pasi talebanët morën kontrollin e Afganistanit. /VOA/

Exit mobile version