Një grua në Arizona tha se ajo bëri një zbulim mahnitës brenda një çante të re që bleu në një shitore: një shënim me sa duket i shkruar nga një i burgosur i dëshpëruar në Kinë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ka qenë Laura Wallace ajo që gjeti mesazhin, të shkruar në kinezisht, i futur brenda çantës së blerë.
Dhe ajo e kishte gjetur një kinez për t’ia përkthyer se çfarë shkruante në të:
“Të burgosurit në burgun e Yingshan në Guangxi të Kinës po punojnë 14 orë në ditë pa pushim në mesditë, vazhdojnë të punojnë jashtë orarit deri në 12 të mesnatë dhe kushdo që nuk e përfundon punën e tij do të rrihet. Ushqimet e tyre janë pa vaj dhe kripë. Çdo muaj, shefi i paguan të burgosurit 2000 juan (265 euro). Nëse të burgosurit janë të sëmurë dhe kanë nevojë për mjekësi, kostoja do të zbritet nga paga. Burgu në Kinë është ndryshe nga burgu në Amerikë”.
E shitorja ku është blerë çanta “Walmart” shkruan në një deklaratë mbi incidentin.
“Ne nuk mund të komentojmë në mënyrë specifike për këtë shënim, sepse nuk kemi asnjë mënyrë për të verifikuar origjinën e letrës”, thuhet në përgjigjen e Walmart. /Telegrafi/