Nuk përballoi dot rikthimin në burg pasi doli disa ditë me leje, i riu i jep fund jetës duke u vetëvarur.
Viktima është Sergei Cenolli, i dënuar me 6 vite burg, pasi bashkë me tre persona u kap në vitin 2014 duke transportuar 40 kg tritol, raporton “Panorama”.
Ai u gjet dje nga babai i tij i varur me litar. Akti fatal i 26-vjeçarit, sipas të afërmve, dyshohet se ka ardhur për shkak të gjendje depresive në të cilin ndodhej.
Sipas tyre, Cenolli nuk e pranonte veprën penale për të cilën ishte dënuar me 6 vite burg, dhe se gjithmonë pretendonte se ishte i pafajshëm.
Sipas “Panorama”, ka edhe një dyshim tjetër që ka të bëjë me jetën e tij sentimentale. Kjo lidhet me ndarjen nga e dashura.
Sergei Cenolli kishte marrë disa ditë leje nga burgu dhe pikërisht ka vendosur t’i japë fund jetës në ditën e fundit të lejes, ditën kur ai duhej të kthehej në qeli në burgun e Drenovës, ku vuante dënimin. 26-vjeçari u gjet i pajetë në ambientet e shtëpisë nga babai i tij, ndërsa ishte vetëflijuar duke përdorur një litar.
Pasi ka qëndruar për disa ditë në shtëpi, mëngjesin e së mërkurës ka shkuar në punën e të atit, punonjës elektriku, me qëllim që t’i kalonin së bashku orët e fundit të lejes, por në një moment ai i ka kërkuar babait që të shkëputej pak, pasi duhet të takonte shokët. Madje i ka kërkuar atij edhe disa para në mënyrë që t’i qeraste me ëmbëlsira.
Pasi mori paratë nga babai, Sergei ka marrë lekët dhe është nisur në drejtim të dyqanit dhe ky ka qenë momenti i fundit kur babai e ka parë gjallë.
Burime të rezervuara bënë me dije se Cenolli me lekët që ka marrë nga i ati, ka blerë ëmbëlsira dhe disa metra litar në një dyqan në fshat dhe më tej është drejtuar për në banesë, ku nuk kishte asnjë njeri, pasi nëna e tij ndodhej në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore.
Ndërsa ora kur atë e bir duhet të niseshin drejt burgut po afrohej, 26-vjeçari nuk është kthyer te puna e të atit, ashtu siç i kishte premtuar. I shqetësuar për vonesën, ai ka nisur t’i telefonojë të birit. Pas telefonatash të shumta pa përgjigje, i ati është nisur drejt banesës.
Sapo ka hyrë, ai është përballur me skenën e tmerrshme, ndërsa mbi tryezë ka gjetur edhe ëmbëlsirat që 26-vjeçari kishte blerë për shokët. I alarmuar ai ka lajmëruar ambulancën dhe policinë, duke sinjalizuar ngjarjen. Mësohet se atij i kishin mbetur për të kryer edhe 2 vjet e 8 muaj burg, por pak orë para se të kthehej në IEVP Drenovë, ai është vetëflijuar.