Përskaj klimës që nuk favorizon bletët, bletarët ankohen për konkurrencë të pandershme. Ato thonë se duhet të ketë kontrolle më të mëdha nga autoritetet te tregtarët dhe prodhuesit. BE do të shtrëngojë kontrollet e mjaltit nga importi.
Bletarët në Maqedoni ballafaqohen jo vetëm me ndryshimet klimatike që dëmtojnë prodhimtarinë e mjaltit, por edhe me konkurrencën jo lojale. Gjithashtu për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, edhe çmimi i mjaltit po rritet. Prodhuesit e mjaltit thonë se rritja e çmimit është e pashmangshme, para së gjithash për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, sheqerit dhe pajisjeve të punës.
Përskaj klimës që nuk favorizon bletët, bletarët ankohen për konkurrencë të pandershme. Bletarët thonë se duhet të ketë kontrolle më të mëdha nga autoritetet dhe të mos lejohet që të abuzohet me cilësinë e mjaltin që ndodh që i shtohen edhe përbërje jo natyrale dhe që shitet në pikat e ndryshme, andaj edhe kërkojnë që shteti të bëjë kontrolle të rregullta të numrit të bletëve dhe të zbulojë manipuluesit eventual edhe përmes kontrolleve të rregullta të cilësisë së mjaltit nga shërbimet profesionale. Përderisa apelojnë për më shumë kontrolle nga ana e institucioneve që të pengohet krijimi i mjaltit fallco, shtojnë se konsumatorët duhet të blejnë mjaltë nga bletarët e njohur. “Në disa vende evropiane, shitësit kontrollohen derë më derë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Inspektori vjen pa u identifikuar, blen mjaltë dhe më pas identifikohet dhe kryhet analiza. Duhet të bëhen analiza të hollësishme edhe çfarë saktësisht shitet. Nga institucionet, jo nga ne si shoqata. Ne nuk kemi autoritet të sanksionojmë shitës të tillë”, thotë Vladimir Petrovski, nga shoqata e bletarëve të Pollogut.
Mende Trajkovski nga shoqata “Nektar”, thotë se në tregje ka mjaltë me cilësi të diskutueshme. “Ju bëjmë thirrje organeve inspektuese të ndërhyjnë sepse për ne kjo është konkurrencë e pandershme, ndërsa qytetarët nuk duhet të japin para për mjaltë të cilësisë së ulët. Vetëm në këtë mënyrë mund të zgjidhet ky problem. Kjo situatë nuk është vetëm në vendin tonë por në të gjithë Ballkanin, dhe mund të vihet nën kontroll vetëm me kontrolle më të shpeshta të organeve inspektuese”, thekson Petrovski.
Në ndërkohë, vendet anëtare të BE-së po kërkojnë mbrojtjen më të mirë të tregut të mjaltit dhe konsumatorëve përmes deklarimeve më transparente për këtë produkt.
Komisionit Evropian i kërkohet të rishikojë ligjet për etiketimin e përzierjeve të mjaltit që shiten dhe në këtë mënyrë të mbrojë prodhuesit dhe konsumatorët vendas kur zgjedhin mjaltin. Etiketa e origjinës “përzierje mjalti BE/jo BE”, që hutonte konsumatorët dhe hapte hapësirë për mashtrime, po shkon në histori. Me fjalë tjera, Komisioni Evropian ka publikuar një propozim për ndryshimin e direktivës së mjaltit, rregulloren kryesore që rregullon shitjen e këtij ushqimi në Evropë, bën të ditur eurodeputetja kroate Biljana Borozan. “Më në fund! Jemi në prag të një fitoreje të madhe për konsumatorët dhe bletarët vendas, me këtë do t’i mbrojmë nga mashtruesit dhe konkurrenca e pandershme. Por puna nuk ka mbaruar. Komisioni propozoi që në etiketë të përfshihet një listë e të gjitha vendeve nga e ka origjinën mjalti, por kjo nuk mjafton. Unë do të luftoj që vendet e origjinës të renditen sipas proporcionit nga më i madhi tek më i vogli. Nëse pjesa më e madhe e mjaltit në paketë është nga, për shembull, nga Kroacia ose Kina, atëherë ai vend duhet të renditet i pari e kështu me radhë. Në të kundërt do të ketë sërish vend për mashtrim”, ka thënë Borozan.
Deri më tani ishte e mundur që një produkt me 1 për qind mjaltë evropian dhe 99 për qind mjaltë të importuar të etiketohej si “përzierje mjalti i BE-së dhe jo BE-së”, njësoj sikur të ndryshonin përmasat.
Anketa e fundit e inspektimit të tregut të BE-së zbuloi se 43 për qind e mostrave të mjaltit të marra nga supermarketet evropiane në 2021 dhe 2022 përmbanin shurup sheqeri. Kjo është një rritje e madhe e sasisë së falsifikimit, sepse në vitin 2017 pjesa e produkteve që përmbajnë këtë aditiv të paligjshëm ishte 14 për qind.
Më tej, nga 123 kompani të huaja që eksportojnë mjaltë në tregun e BE-së, produktet e 70 prej tyre përmbanin shurup sheqeri. Shumica e këtyre importuesve, 20 prej tyre, janë nga Kina, ndërsa pjesa tjetër nga Ukraina, Argjentina, Brazili, Meksika dhe Turqia. “Mundësia ka ardhur deri aty sa që po të mashtrojnë kur blen mjaltë në dyqan me pothuajse 50:50 për qind, gjë që është e papranueshme! Krahas rregullave të reja për shënimin e origjinës, duhet të forcohet edhe kontrolli inspektues, sepse mashtruesit përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara të falsifikimit të mjaltit. Inspektimet duhet të pajisen për të zbuluar “mjaltin” ultra të filtruar, në të cilin praktikisht nuk ka polen dhe produkte të trajtuara në temperatura të larta mbi 40 gradë, pra mjaltë që prodhohet me shpejtësi nga avullimi artificial”, paralajmëroi eurodeputetja kroate. Propozimi duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian deri në fund të këtij viti. (koha.mk)