Qeveria e Kosovës ka njoftuar të gjithë qytetarët dhe posaçërisht banorët serbë në pjesën veriore, të cilët po protestojnë qe tri ditë kundër tarifës doganore, që ta shfrytëzojnë të drejtën ligjore për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina deri në vlerën 175 euro, shumë kjo për të cilën ata nuk detyrohen të paguajnë asnjë tarifë doganore.
Që nga vendosja e tarifës 100 për qind për prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, banorët serbë të pjesës veriore të Kosovës kanë protestuar dhe janë ankuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka vështirësuar furnizimin me produkte të nevojshme për jetë.
Megjithatë, vendimi i Qeverisë nuk prek blerjet që qytetarët i bëjnë për nevojat e veta deri në shumën 175 euro, që zbatohet edhe për blerjet nga vendet tjera, por prek vetëm importet e produkteve me origjinë nga Serbia e Bosnja për qëllime tregtare.
Në veri të Kosovës, disa qytetarë serbë thonë se rezervat e mallrave kanë filluar t’iu shpenzohen. Ndërkaq, në protestat e kësaj jave, qytetarët serbë në Mitrovicën Veriore mbanin në duar pankarta ku shkruhej: “Fëmijët tanë janë të uritur”.
Dyqanet në Mitrovicën e Veriut kryesisht janë të furnizuara me produkte nga rezerva, por tregtarët thonë se ato mund të zgjasin vetëm për një kohë të caktuar.
Dragan Nedeljkoviq, biznesmen nga Zveçani, thotë se ai tash për tash ka rezerva, por që ato dita-ditës, sipas tij, po harxhohen. Ai tregon se çmimet në përgjithësi nuk janë rritur, duke përjashtuar qumështin, miellin dhe disa artikuj të tjerë, të cilët ishin shtrenjtuar pas vendimit fillestar për taksën prej 10 për qind.
“Nëse vazhdohet siç po premtojnë, atëherë do të ketë probleme sepse rezervat po harxhohen. Furnizimin e kemi ndoshta deri në fund të dhjetorit”, tha ai.
Ndërkaq, Mirosllavi, një banor nga Mitrovica Veriore thotë se aktualisht gjendja nuk është alarmante, por pret që Prishtina do ta tërheqë vendimin për tarifat.
“Çka të bëjmë, duhet të gjendemi disi. Tash për tash ende kemi produkte, por mund të përkeqësohet gjendja. Duam që të kthehet gjendja normale”, tha ai.
Pas konfuzionit të shkaktuar që nga vendosja e taksës doganore 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja, Qeveria e Kosovës përmes një deklarate kishte sqaruar se masa nuk ishte e drejtuar kundër qytetarëve serbë të Kosovës.
Naim Huruglica, ish-drejtor i Doganës së Kosovës, thotë se bazuar në të ardhurat mujore në Kosovë, vlera prej 175 euro, vlerësohet e mjaftueshme për blerjet nga jashtë që realizojnë qytetarët.
Ai sqaron se në bazë të Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës, i cili zbatohet që nga viti 2008, mallrat që barten në bagazhin personal të udhëtarëve që vijnë nga një shtet tjetër, iu lejohet lirimi nga detyrimet e importit nëse nuk kalojnë vlerën prej 175 euro, por me kushtin që ato importe nuk janë të natyrës tregtare. Kjo vlen për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nacionalitetit apo shtetësisë.
“Nëse një qytetar bën përpjekje që të kalojë deri në 20 herë në ditë me blerje deri në 175 euro, atëherë zgjohet dyshimi se kjo po bëhet për tregti apo gjëra tjera”, tha Huruglica, duke sqaruar se për këso raste, zyrtarët doganorë mund të aplikojnë edhe masën e taksës.
Nga përvoja e tij, si drejtor i Doganës së Kosovës, Huruglica thotë se qytetarët të cilët jetojnë në afërsi të kufirit më Serbinë, qoftë në pjesën veriore apo jugore të Kosovës, zakonisht e kanë shfrytëzuar mundësinë e importit të produkteve për nevoja familjare pa paguar detyrimet doganore.
Sipas tij, shumica e qytetarëve të nacionalitetit serb që jetojnë në afërsi të kufirit me Serbinë, kryesisht shfrytëzojnë një ditë tregu në Serbi për furnizime atje.
Përveç mallrave që barten përmes bagazhit të veturës, konform ligjeve në fuqi të Kosovës, mallrat me tarifë zero janë edhe donacionet. Kjo nënkupton donacionet për kisha dhe objektet fetare; misionet diplomatike ose konsullore që janë për përdorim zyrtar.
Po ashtu, të liruara nga tatimet janë dërgesat për KFOR-in dhe EULEX-in dhe importet specifike të mallrave për të cilat Qeveria e Kosovës vendosë se duhet të përdoren për qëllime humanitare dhe që nuk janë për shitje e konsumim në Kosovë. /Rel/Telegrafi/