Telegrafi

Blerja e raketave “Javelin”, analisti Arifi: SHBA nuk i shet armë çfarëdo shteti

Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246 raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Për një hap të tillë ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill sot e ka informuar edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në një takim në Beograd.

Këtë deklaratë të ambasadorit Hill e ka komentuar politologu Dritëro Arifi, duke theksuar që ShBA-ja e ka informuar Serbinë se e ka partner Kosovën.

Arifi ka thënë se Amerika nuk i shet armë çfarëdo shteti.

“Arsyeja është shumë e qartë. Hill e ka informuar Serbinë se Kosova është partner i SHBA-ve. Nuk ka më diplomaci se me tregu, se kur flet për Kosovën dije se për kë po flet. SHBA nuk i shet armatim çfarëdo vendi. Kur po flasim për diplomacinë amerikane ajo e ka mbyll shumë mirë punën, por ne nuk e kemi kuptuar. Nuk është mirë më përmend që po blihet shumë. Një vend i vogël nuk ka nevojë më fol. Nuk është me rëndësi sa blen por me kry punë. Ne dy raketa mi ble i flasim”, ka thënë ai, në tëvë1.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e ka konfirmuar më herët  se kanë filluar procedurat për blerjen e raketave antitank “Javelin” për Kosovë.

Përmes një deklarate të shkurtër, Maqedonci ka thënë se ky vendim është në kuadër të planit të tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Lexo po ashtu DASH: Vlera e raketave antitanke që do të blejë Kosova është 75 milionë dollarë

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Departamenti amerikan i Shtetit  duke njoftuar se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë 246  raketa “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave “Javelin” dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

“Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Lexo po ashtu Blerja e sistemit raketor “Javelin”, Maqedonci: Parashihet të blihen edhe sisteme të tjera armatimi

SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.

Sipas Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri, në pakon mbrojtëse që Kosova ka bërë kërkesë të blejë, përveç 246 raketave Javelin FGM-148F – përfshirë gjashtë raketa testuese që i dërgohen blerësit kur të pranojë dërgesën – janë edhe 24 njësi për lëshimin e raketave “Javelin”, si dhe udhëzues të tjerë për përdorimin e raketave, dhe pajisje përcjellëse.

Sipas kësaj agjencie, kontraktorët e kësaj marrëveshjeje do të jenë kompanitë që prodhojnë raketat Javelin, Lockheed Martin dhe Raytheon Missiles and Defense.

“Shitja e propozuar e këtyre armëve do të përmirësojë aftësitë mbrojtëse të Kosovës, në terma afatgjatë, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial dhe që të përmbushë kërkesat e saj të mbrojtjes kombëtare. Kosova nuk do të ketë vështirësi që të përfshijë këto pajisje në forcat e saj të armatosura”, tha Agjencia për bashkëpunim në siguri.