Blerja e Milanit nga investitorët kineze është vënë nën hijet e dyshimit.
Portali i famshëm financiar “Bloomberg” bëri të ditur se në 25 prill konsorciumi kinez që vepron nëpërmjet fondit SinoEurope për blerjen e Milanit, kishte paraqitur në zyrat e “Fininvenst” një raport financiar fals të bankës “Jiangsu” dhe jo të konfirmuar nga ky institucion.
Prej ditësh “Bloomberg” ka bërë paralajmërimet për biznesmenët kinezë që kërkojnë blerjen e 99.3% të aksioneve të Milantit dhe që i kanë derdhur tashmë në arkat e klubit 100 milionë euro, ndërkohë që deri në fund të vitit ata pritet të derdhin edhe pjesën tjetër prej 420 milionë Eurosh.
“Bloomberg” citon disa burime anonime të mirëinformuar në këtë çështje për të publikuar artikullin ku theksohej se në pjesën e parë të bisedimeve kinezët kishin paraqitur raporte financiare false me vulën e Bankës së Jiangsu që rezultoi se nuk ishte autentike.
Një nga këto raporte ishte përpiluar në 25 prill dhe fliste për një mbyllje të bilancit të kompanisë për një shifër prej 128 milionë dollarësh. Stafi i “Bloomberg” bën të ditur se hyri në kontakte me drejtuesit e bankës, të cilët deklaruan se nuk kishin lëshuar kurrë dokumente të tilla.
Reagimi i SinoEurope ishte i menjëhershëm duke mohuar gjithçka u publikua nga “Bloomberg” me këtë të fundit që këmbëngul në idetë e saj.
“Bloomberg” shkon edhe më tej duke deklaruar se konsorciumi që do të blejë Milanin nuk i ka ende fondet e mjaftueshme për të mbyllur përfundimisht këtë transaksion. Në të vërtetë ai është ende në kërkim të partnerëve e financierëve të rinj.