Ish-kandidati i opozitës shqiptare për President të Maqedonisë së Veriut dhe profesori universitar, Blerim Reka është deklaruar për mos marrjen e datës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke kujtuar pohimet e tij se në qershor nuk do të ketë datë nga BE-ja, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Parashikimi im, fatëkeqësisht po del i saktë. Të marten, Këshilli Evropian, nuk do të caktoj datë për negociata me BE-në. Vetëkuptohet se nuk i gëzohem zhvillimit të tillë, sidomos jo si ambasador, në mandatin e të cilit në v.2009, vendi morri rekomandimin e parë pozitiv. Por, mundohesha ta shpjegoj se: NATO është gjeopolitikë, kurse BE është teknikë. E para kërkon siguri, i dyti sundim ligji. Po të ishte ndryshe, Shqipëria – tash 10 vite anëtare e NATO-së, moti do të fillonte negociatat me BE-në.”
“Çka tutje? Na duhet kthjellje dhe jo pritje jorealiste. Përgjegjësinë për dështimin, duhet kërkuar brenda – jo jashtë; aq më pak me alibi procedural. Sidomos, jo duke fajësuar shtetet anëtare. Më së paku – duke krijuar disponim anti – BE. Ngritja e pritjeve të larta: “në qershor marrim datë”; përfundoi me rezultat të ulët. Premtimet e mëdha, sollën zhgënjim të madh. Anëtarësimi në BE, është maratonë stafete, që nuk varet nga datat. Mbetet, ta menaxhojmë dështimin nga pritshmëritë e fryera të datës; që pritjet jo-reale, të mos sjellin zhgënjime të reja. Të mos bëhemi robër të datave të reja: shtator, tetor, fundi i vitit…”
Reka është profesor universitar dhe është njohës i mirë i politikave të BE-së pasi ka qenë edhe ambasador i Maqedonisë së Veriut në BE. /Telegrafi/