Kandidati për deputetë nga PDK-ja dhe këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifi ka thënë se AAK-ja mohon se listat e veteranëve janë të fryra.
Latifi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Komisioni për verifikimin e veteranëve të luftës qysh moti e ka humbur kontrollin mbi procesin.
Ai ka thënë se edhe komandantë të ndryshëm në të gjithë Kosovën, i kanë lejuar vetes të nënshkruajnë lista të rreme me ç’rast sipas tij ka pasur tej fryrje të atyre listave, përcjell Telegrafi.
Këshilltari i ish-kryeparlamentarit Veseli thotë se AAK-ja ka mohuar se ka një fryrje të listave.
“Sot kemi rreth 39 mijë veteranë, ndërsa 17 mijë prej tyre janë nga Dukagjini…Të gjitha statistikat thonë se UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 13,500 luftëtarë”.
Latifi thotë se nuk ka asnjë logjikë të ketë pasur 30 mijë luftëtar ashtu siç thotë ish-kryeministri Haradinaj.
“Kjo shifër është 100% e pasaktë. Listat e fryra janë fakt dhe kanë dëmtuar shumë imazhin e UÇK-së dhe njëkohësisht po dëmton edhe buxhetin e Kosovës”.
Kandidati për deputetë nga PDK-ja thotë se fenomeni i veteranëve të rrejshëm ka filluar në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër e Avdullah Hoti ministër i financave.
“Ne si PDK kemi ndërmarrë iniciativa konkrete për të ndalë këtë fenomen të shëmtuar të tjerët kanë heshtur ose kanë bllokuar”, tha ndër të tjera Blerim Latifi./Telegrafi/