Telegrafi

Blerim Gashani merr detyrën e zëvendësministrit në MPB

Blerim Gashani ka pranuar sot detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nga kjo ministri, ku Gashani në ditën e parë të punës është pritur nga ministri, Xhelal Sveçla.

Gashani është emëruar në këtë pozitë të premten, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në vendimin për emërimin e tij, po ashtu është bërë e ditur se ai është i obliguar që brenda 30 ditësh të deklarojë pasurinë e tij.

Ndryshe, Gashani i lindur më 25 dhjetor 1974 në Drenas, ku dhe përfundoi shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet themelore për Komunikim Masiv dhe Gazetari i përfundoi në Universitetin AAB, ku edhe vijon me studimet Master.

Sipas biografisë së dhënë nga MPB-ja, Gashani ka punuar si mësimdhënës nga 1994 deri në vitin 2000 në shkollën fillore “Zenel Hajdini”, në Terstenik.

Prej 2000 deri më 2008, ka punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) për të vazhduar në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) nga 2008 deri më 2014.

Pas vitit 2014 deri më tani punoi për organizatën qeveritare të Mbretërisë së Bashkuar, NI-CO, të cilët zbatojnë shumë projekte në Republikën e Kosovës , sidomos të lidhura me siguri dhe drejtësi.

Në komunikatë po ashtu thuhet se ai njihet për shumë artikuj gazetaresk të botuara në mediat e shkruara dhe elektronike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ka botuar edhe dy libra: “Vjeshtë e ngrimë” më 2017 dhe “Kronikë e rrënimit të Kosovës” më 2020. Ai gjithashtu ka përvojë të bujshme si redaktor dhe lektor i gjuhës standarde shqipe në botime të ndryshme akademike e publicistike. /Telegrafi/