Ata që blejnë hiperveturën elektrike Rimac Nevera, në Evropë do të kenë mundësi që pa pagesë ta mbushin veturën në një periudhë prej tetë vitesh.
Nevera veturë e prodhuar nga kompania kroate Rimac Automobili, ka njoftuar se ka bashkuar forcat me kompaninë Ionity, një prej operatorëve më të mëdhenj evropian për stacionet e mbushjes së veturave elektrike, transmeton Telegrafi.
Sipas marrëveshjes së tyre, ata që blejnë Nevera do të kenë të drejtë në mbushje të pakufishme në të gjitha stacionet e Ionity në 24 vende të Evropës, për një periudhë tetë vjeçare.
Kjo do të thotë se blerësit për dy milionë euro nuk “marrin” vetëm hiperveturën me performansa të larta, por edhe mbushje “gratis” për një kohë të gjatë.
Kujtojmë që vetura elektrike Nevera prodhon 1.914 kuaj-fuqi, të mjaftueshme që shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë ta arrijë për 1.81 sekonda, ndërsa atë deri në 300 km/h për 9.22 sekonda.
Kjo veturë i përshkon 402 metra për 8.25 sekonda. Shpejtësinë maksimale e ka 412 km/h dhe një rreze veprimi prej 490 kilometra me vetëm një mbushje të baterisë. /Telegrafi/