Blerësit e Tesla-s po shprehin zhgënjimin e tyre “për humbjen” pas uljeve të mëdha të çmimeve të shpallura nga kompania javët e fundit, me një që thotë se ndiheshin “të mashtruar”.
Sipas Business Insider, përcjell Telegrafi, Aaron Brewer, nga Oahu, Hawaii, bëri një porosi në një përfaqësi në Honolulu më 7 dhjetor për një Model 3 pasi Tesla uli çmimin e asaj makine dhe Modelit Y me 3,750 dollarë.
Ai tha se një përfaqësues i shitjeve i tha atij se në Tesla “pothuajse kurrë nuk zbritet asgjë”.
Por më vonë në dhjetor, Tesla thelloi zbritjen për të dy modelet, në 7,500 dollarë dhe në vitin 2023 uli çmimet më tej.
Brewer tha se ishte “me të vërtetë e dhimbshme që ajo ndjenjë euforike e të qenit kaq i lumtur me makinën të hiqej dhe të zëvendësohej me një ndjenjë të mashtrimit” në shumën e “disa mijëra dollarëve”.
Ndërsa Deborah Martin, nga Los Alamitos, Kaliforni, tha se ajo porositi modelin e saj me shtatë ulëse Model Y Long Range në fillim të janarit për të përfituar nga kreditimi i taksave federale të automjeteve elektrike prej 7,500 dollarësh dhe iu tha që të priste dorëzimin midis 12 janarit dhe marsit.
Ajo pagoi 76,440 dollarë për automjetin, i cili përfshinte sistemin e Enhanced Autopilot.
I njëjti konfigurim që ajo porositi tani kushton 65,630 dollarë.
Dhe ajo tha: “Kështu që brenda 24 orëve, pa përfshirë taksat, humba 10,810 dollarë”.
Gjithashtu, një blerës tjetër që nuk donte t’i publikohej emri për arsye privatësie pagoi 69,000 dollarë për një Model Y dhe mori veturën më 1 tetor pasi priti për një vit.
Pas uljeve të fundit të çmimeve, makina tani fillon nga 52,990 dollarë, nga çmimi i mëparshëm bazë prej 65,990 dollarësh. /Telegrafi/