Presidenti i Sigal Prishtinës, Blerand Stavileci, është përkrahës i madh i përfaqësueses së Kosovës.
Pos që e shikon secilën ndeshje, ai është zëshëm në përkrahje të përfaqësueses së Kosovës dhe ka shprehur përkrahjen maksimale për djemt që arritën të futen në kualifikimet për Botërorin Kina 2019, një arritje historike kjo.
Sigal Prishtina kontribuon në kombëtare me më së shumti lojtarë nga të gjitha klubet kosovare dhe Stavileci s’mund të fshehë krenarinë për këtë.
Sipas tij, yjet e Kosovës kanë diçka më shumë se yjet e Spanjës e kombëtareve tjera të mëdha.
” Me miliona njerëz po e shohin këtë foto të çunave të hekurt të Kosovës që na bënë krenarë si asnjëherë më parë. Majlindës me shoqe e shokë iu shtuan edhe Dardani me shokë. Jemi në mesin e reprezentacioneve më të mira të kontinentit tonë në garë për Botërorin Kina 2019. Mosha mesatare e këtij reprezentacioni është vetëm 24 vjeç! I falënderoj të gjithë ata që dhanë qoftë edhe ni pjesëz kontributi për këtë pikë kulmore të sportit me të cilin u rrita e po jetoj edhe unë. Për më tepër 90% e këtij ekipi bartin ose kanë bartur fanellën e klubit më të suksesshëm shqiptar KB Prishtina. Së shpejti këta çuna përballë do t’i kenë yjet e Spanjës, Francës, Italisë, Rusisë etj. Nuk e kanë emrin, përvojën e as pagën e Gasolit, Parkerit, Barnjanit, por kanë diçka më shumë se ata. Zemrën. E kanë inatin për garë. Janë të uritur për fitore dhe sukses. E këto shpesh e bëjnë dallimin në jetë.
Deri dje e pata idhull të madhin Alessandro Del Piero. Prej sot e kam zemërhekurtin Dardan Berisha. Edon. Granitin. Fisin. Albanin. Drilonin. Urimin. Erjonin. Gëzimin. Leonardin. Lisin. Erginin. Samirin. Artin. Koha jonë po vjen”, ka shkruar Stavileci në një postim në Facebook.
Stavileci ka kohë që kërkon po ashtu ndërtimin e një arene gjigante për Sigal Prishtinën dhe Kosovën, që garojnë në skenën ndërkombëtare në nivelin më të lartë të basketbollit. /Telegrafi/